Vrasja e 13 personave në Serbi dhe vdekja e dorasit të tyre kanë nxitur debatin për sigurinë në vendet e Ballkanit. Por, a është niveli i dhunës në Ballkan më i lartë se në Evropë?


Gazeta zvicerane “Neuer Zürcher Zeitung” e krahason nivelin e gatishmërisë për dhunë në vendet ballkanike me atë në vendet perëndimore, pasi shumë qytetarë të Serbisë kanë përshtypjen se jetojnë në një shoqëri shumë të predispozuar për dhunë.


“Por pavarësisht nga përshtypja e përgjithshme, vrasjet me armë zjarri në Perëndim dhe në vendet e tjera evropiane janë më të shpeshta sesa në vendet e ish-Jugosllavisë”, shkruan kjo gazetë, transmetojnë DW dhe Albinfo.


Sipas hulumtimeve të fundit, në Serbi ekziston një sasi e madhe e armëve tek personat civil, gjë që mund të shpjegohet edhe me faktin se ky vend ka kaluar gjatë viteve 90-të nëpër periudha të shumta luftërash.


Në 100 persona në Serbi, 38 nga ta posedojnë ndonjë armë, që do të thotë se për nga niveli i armatimit ky vend renditet i pesti në botë, konstaton “Small Arms Survey” nga Gjeneva.


E megjithatë numri i vrasjeve në 100 000 banorë është “vetëm” 1.2 vetë.


Kjo do të thotë se Serbia sa i përket nivelit të vrasjeve është në të njëjtën shkallë me Britaninë e Madhe, Francën apo Holandën.


Niveli më i ulët i vrasjeve në vendet e ish-Jugollavisë është në Slloveni me 0.7, ndërsa më i larti në Mal të Zi me 3.5 vrasje në 100 000 vetë.


Por autoritetet ndërkombëtare dhe mediat paralajmërojnë se në këto vende shpesh nuk mund të bëhen matje të sakta të kriminalitetit, për shkak të mungesës së të dhënave të sakta.


Edhe më befasuese janë të dhënat e një studimi të Zyrës së OKB-së për Droga dhe Kriminalitet, sipas së cilave “niveli i plaçkitjeve, vjedhjeve dhe tentativave për plaçkitje është disa herë më i ulët në vendet e Ballkanit, sesa në vendet perëndimore”.


Në këtë studim shtrohet edhe pyetja nëse kriminelët nga Ballkani kanë ikur në vendet perëndimore dhe e kanë shtuar atje nivelin e kriminalitetit.


Por, sipas këtyre burimeve, as kjo nuk është e vërtetë, sepse “në burgjet e vendeve perëndimore është në rënie numri i të burgosurve me origjinë nga vendet e Evropës Juglindore”, shkruan “Neue Zürcher Zeitung”./Indeksonline/