Duket se çudia me emrin "Trebicka", do të zgjasë më shumë se tre ditë, madje më shumë se tre muaj dhe ndoshta edhe më shumë. Vdekjet e shumta në Shqipëri, vdekje aksidentale, vrasje, krime brenda familjes, e të tjera si këto, tashmë nuk përbëjnë më lajm. Vetëm statistikë. Askush nuk i kthehet në diskutim rastit, por vetëm fenomenit dhe kjo, derisa vrasësi (apo "shkaku") të jetë shpallur zyrtarisht si i njohur. Kështu të paktën pritej dhe nga rasti "Trebicka". Aksidenti "Trebicka" mund të kishte sjellë po atë indiferencë që shoqëria ka ndaj çdo aksidenti, nëse emri i tij, të mos ishte lidhur kaq fort me një tjetër tragjedi, Gërdecin. Kosta ishte biznesmen. Si i tillë, çdo aksident dhe pse mund të kishte nga pas pistën e dyshimit për larje hesapesh biznesi, përsëri do të ishte harruar tashmë. Nuk është ky rasti i parë. Por pikërisht lidhja me politikën, me një denoncim të një natyre mjaft delikate, e ka bërë shoqërinë shqiptare mjaft të ndjeshme ndaj ‘aksidentit‘.



Mosbesimi për "aksident" u rrit me një shpejtësi marramendëse, drejt besimit të "një vrasje të pastër". Në psikologjinë moderne është i njohur fakti se turma, në të tilla raste, kur politika është në mes, është e prirur të besojë të kundërtën e asaj që shpallet zyrtarisht. Prandaj dhe mbërritja e një "specialisti të huaj", pra jashtë lidhjeve me politikën, u prit në shoqëri me shpresë se e vërteta do të kishte më në fund një fytyrë vrasësi. Pra, një i "huaj" do të vërtetonte më së fundmi besimin e turmës. Por nuk ndodhi kështu. Aksidenti mbeti aksident dhe "i huaji" zhgënjeu shumicën, dhe pse nuk e ka bindur atë.



Rasti "Trebicka" vazhdon të jetë i pranishëm në media, në biseda mes miqsh, në biseda mes kolegësh, e deri në familje. Dhe duke e përcjellë me shumë dyshim ngjarjen, e kanë kthyer tashmë, në një dukuri "makthi kolektiv", e cila sjell si pasojë "frikën politike". Kjo frikë bëhet edhe më e pranishme nga fakti që shkaktarët e tjerë të tragjedisë "Gërdec" as që kanë shanse të nominohen. Sindroma e "frikës kolektive", përcillet si dyshim, indiferencë, e deri në vetizolim të individëve. Kjo ndodh sepse frika kolektive lidhet me dy aspekte jetësore të individit; siguria për jetën e tij personale dhe familjare, dhe shtetin, i cili duhet të jetë garant i kësaj sigurie. Frika për sigurinë e jetës duket në biseda të thjeshta, duket në pyetjet që i bëhen Qeverisë e Kryeministrit, dhe kjo frikë, shkon deri në konkluzionin "ka ardhur kohë e keqe" nuk duhet folur shumë! Dhe kur "vetëmbyllet goja" ose nuk thuhet mendimi i lirë, qytetari nuk ka më liri të vërtetë.



Po shteti? Shteti duhet të jetë garant i sigurisë, por që përthyhet në ndërgjegjen e qytetarit si "vrasësi i mundshëm", nëse "ngatërrohesh" me politikën! Kjo situatë "post-Trebicka" mendoj se duhet ta shqetësojë seriozisht politikën. Natyrisht askush nuk mendon se duhet patjetër të gjendet një "vrasës" që të mbyllet ngjarja. Jo! Absolutisht, por ama duhet parë më kujdes gjithçka lidhet me politikën aktuale qeverisëse, sepse sindroma "frike kolektive", çon në shpërthime të paparashikuara që mbjellin panik kolektiv e amok turme. Në situate të tilla mjafton një informacion i gabuar, apo jo i besuar, apo provokues, që mund t‘i bëhet shoqërisë në përgjithësi, mund të provokojë një panik të menjëhershëm e të paparashikuar. Prandaj, Kryeministri, Qeveria, por dhe opozita duhet të shikojnë situatën "post-Trebicka" me shumë vëmendje. E njëjta gjë vlen dhe për mediat.



Do të doja të sillja në vëmendjen e lexuesit situatën e fundvitit ‘96 kur "frika kolektive" vërtitej në shoqëri. Shkaku ishte banal, por frika kolektive rritej në heshtje dhe kur Kryeministri i "siguroi" për paratë e tyre, njerëzit një çast menduan se "frika" kaloi, por sapo u zgjuan menduan sërish me mendjen e tyre dhe frika solli "kërkesën" për të vërtetuar realisht "bazën e kësaj frike apo besimin te politika". Por fatkeqësisht piramidat e vërtetuan këtë frikë. Më tej dihet çdo gjë.