Singapori ndodhet në krye të 131 qyteteve botërore, duke u bërë kështu qyteti me jetesën më të shtrenjtë në botë sa i përket vitit 2014, sipas Njësisë së Inteligjencës Ekonomike (EIU).
Monedha e fuqishme e qytetit, kombinuar me koston e lartë të të pasurit të një automjeti, si dhe faturat tepër të kripura të shërbimeve, kanë kontribuar në shtrenjtimin e jetesës në Singapor. Ky qytet është gjithashtu edhe vendi më i shtrenjtë në botë për të blerë veshmbathje, apo për të bërë “shopping”. Singapori zëvendëson kështu Tokion, që kryesonte këtë listë në vitin 2013. Qytete të tjera, që radhiten mes 5-shes me jetesën më të shtrenjtë, janë Parisi, Oslo, Zyrihu dhe Sidnei, teksa Tokio ka zbritur në vendin e gjashtë. Sondazhi për koston globale të jetesës i EIU-së është një mjet zhvendosës, i cili përdor Neë York City-n si bazë. Ai vëzhgon më shumë se 400 çmime individuale. Lista e 10 qyteteve më të shtrenjta, këtë vit është dominuar nga qytetet aziatike dhe australiane, por edhe disa në Europë. Shumica e qyteteve aziatike kryesojnë këtë listë, për shkak se predominojnë kostot e larta të ushqimeve. Tokio vazhdon të jetë në krye të listës, nëse bëhet fjalë për çmimet e konsumit të përditshëm. / Top Channel