Mungesa e Partisë Socialiste në Kuvend mban peng votimin për Avokatin e Popullit. Kreut aktual të këtij institucioni, Ermir Dobjanit, i përfundon mandati më 16 shkurt. Sipas ligjit "Për Avokatin e Popullit", nga momenti i përfundimit të mandatit të Dobjanit ,deri në momentin e zgjedhjes së Avokatit të ri, ky post do të mbahet nga komisioneri më i vjetër që është Riza Poda. "Kuvendi zgjedh Avokatin e Popullit brenda një muaji nga mbarimi apo shkarkimi nga funksioni. Deri në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit, si për rastet kur Avokati i Popullit është i pamundur të kryejë detyrat, funksionin e tij do ta kryejë komisioneri më i vjetër në detyrë", thuhet në nenin 9 të ligjit që rregullon funksionimin e institucionit të Avokatit të Popullit. Kushtetuta parashikon që Avokati i Popullit të zgjidhet me 3/5 e votave të Parlamentit, që i takojnë 84 vota. Por në kushtet aktuale, maxhoranca nuk ka më shumë se 75 vota dhe mungesa e opozitës e bën të pamundur zgjedhjen e tij. Ligji themeltar nuk vë limit për mbajtjen e detyrës nga Avokati, çka i jep të drejtën Dobjanit që pavarësisht se ka marrë dy mandate të kërkojë një të tretë. Dobjani Avokati i Popullit Ermir Dobjani pohoi dje se do të kandidojë për një mandat të tretë në detyrë. Sipas tij, ligjet shqiptare nuk e ndalonin një gjë të tillë, ndaj ai do të ndiqte të gjithë hapat ligjorë për të hyrë në garë për mandatin e tretë në krye të institucionit të Avokatit të Popullit. Dobjani pohoi se sipas ligjeve në fuqi kandidimi i Avokatit të Popullit bëhet me propozim të një të pestës së deputetëve të Kuvendit, ose e thënë ndryshe duke pasur firmat e 28 deputetëve. Dobjani tha dje se ende nuk është hapur procesi për konkurrimin, por sapo të niste ky proces, atëherë ai do iu drejtohej deputetëve për t'iu marrë firmat. I pyetur nëse do mbështetej te deputetë të majtë apo të djathtë, Dobjani nuk u prononcua, duke pohuar se do të kërkojë firmat e deputetëve të të dy krahëve, dhe nëse nuk do e marrë mbështetjen nga maxhoranca dhe opozita, nuk do kandidojë. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, Dobjani ka zhvilluar një takim me Presidentin Topi. Sipas njoftimit për shtyp të institucionit të Presidencës, kreu i shtetit vlerësoi punën e Dobjanit gjatë këtyre viteve. Duke shprehur edhe vlerësimet e institucioneve homologe ndërkombëtare, Presidenti Topi theksoi se "e konsideroj një vlerë të madhe krijimin e Institucionit të Avokatit të Popullit dhe përparimin e tij hap pas hapi. Puna e dobishme e këtij Institucioni të pavarur duhet të shërbejë si model dhe si nxitje, që ju dhe pasardhësit tuaj të vazhdoni misionin e nisur". Nga ana e tij Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i dorëzoi edhe një kopje të raportit vjetor që më parë ishte depozituar edhe në Parlament. "Gjithashtu Dobjani duke siguruar se Institucioni i drejtuar nga ai do të vazhdojë punën me të njëjtin përkushtim, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e frytshëm që ka pasur Institucioni i Presidentit të Republikës me atë të Avokatit të Popullit, duke nënvizuar faktin se "ndihmesën dhe mbështetjen e Presidentit, edhe atë të paraardhësve, e ka ndjerë nga afër, veçanërisht atë të Presidentit Topi"", thuhet në njoftimin për shtyp.
Kushtetuta
Neni 60 1. Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike. 2. Avokati i Popullit është i pavarur në ushtrimin e detyrës së tij. 3. Avokati i Popullit ka buxhet të veçantë, të cilin e administron vetë. Ai e propozon buxhetin sipas ligjit. Neni 61 1. Avokati i Popullit zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë prej 5 vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje. 2. Avokati i Popullit mund të jetë çdo shtetas shqiptar, me arsim të lartë, me njohuri dhe veprimtari të njohura në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit. 3. Avokati i Popullit gëzon imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. 4. Avokati i Popullit nuk mund të bëjë pjesë në asnjë parti politike, nuk mund të kryejë veprimtari tjetër politike, shtetërore ose profesionale dhe as të marrë pjesë në organizmat drejtuese të organizatave shoqërore, ekonomike dhe tregtare.