Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Albanian Airlines në një raport të mëparshëm të Komisionit Evropian kishte marrë vërejtje për gjendjen në të cilën ndodheshin avionët e përdorur për fluturim nga kjo kompani.
Përfaqësues të KE-së, pasi kanë parë gjendjen teknike të avionëve të kësaj kompanie, kanë dalë në përfundimin se disa prej tyre duhet të ndalonin fluturimin për tiu nënshtruar një remonti të përgjithshëm, pasi nuk plotësonin standardet. Për këtë arsye, KE ka vënë në dijeni edhe Drejtorinë shqiptare të Aviacionit Civil. Por, edhe pas këtyre konstatimeve këta avionë të Albanian Airlines kanë fluturuar, pa pasur as edhe një pengesë. Gjithçka del në dritë, në këtë moment kur një avion i kësaj linje do të devijonte dy ditë më parë drejtimin e në vend që të dërgonte pasagjerët drejt Italisë i dërgoi ata në Bratislavë të Sllovakisë. Dyshimi i parë në lidhje me këtë devijim të beftë është hedhur mbi gjendjen jot ë mirë teknike të avionit, por gjithçka mbetet e haur, ndërsa mësohet se hetimet kanë nisur nga disa palë të përfshira mnë këtë incident.
Dëshmitë e pasagjerëve
Pasagjerët kanë dëshmuar se devijimi kishte ndodhur si shenjë rebelimi i dy pilotëve sllovake për shkak të mos marrjes së pagës në kohën e duhur. "Albanian Airlines" e cila në nëntor 2009 ka marrë me qira në bazë të një kontrate të rregullt avionë dhe personelin përkatës të fluturimit nga “Air Slovakia” raporton se nuk kishin vënë re asnjë arsye teknike për këtë devijim. Air Slovakia nga ana e saj thotë se pilotët janë paguar në mënyrë të rregullt, dhe se aeroplani devijoi për shkak të një çështjeje teknike dhe se baza e mirëmbajtjes së avionëve të tyre ishte Bratislava. Ajo informoi dje në mëngjes se avioni është ende në tokë dhe po riparohet.
Të dhënat
Në avionin e fluturimit me destinacion fillestar Bolonjën, krahas 110 pasagjerëve, mes të cilëve gjendeshin edhe 4 fëmijëve, udhëtonin dhe 20 pjesëtarë të stafit sllovak të fluturimeve. Ata e kaluan natën në dy hotele pranë aeroportit. Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit bëjnë me dije se nëse ulja është bërë për arsye të tjera, përveç atyre ku siguria e udhëtarëve mund të ketë qenë në rrezik, atëherë piloti mund të hetohet penalisht. Ndërsa, pritet që këto shkaqe të dalin në dritë, ata që u prekën direkt nga kjo ngjarje e paprecendetë, ishin udhëtarët, për të cilët u vu në dispozicion një tjetër avion, për të udhëtuar drejt Bolonjës.




Autoritetet shqiptare,
nis investigimi

Kompania shqiptare “Albania Airlines, çon në gjyq “Air Skllovakia, që posedon avionët dhe pilotët

Autoritetet Shqiptare të Aviacionit Civil kanë nisur një investigim për të mësuar shkaqet që çuan devijimin e avionit, i cili u nis pasditen e të dielës nga aeroporti i “Nënë Tereza” në Tiranë, për të fluturuar drejt Bolonjës, por ndryshoi rrugën duke u ulur në aeroportin e Bratislavës. Të 110 pasagjerët shqiptarë kanë qëndruar për 24 orë në aeroport dhe më pas janë akomoduar në një hotel, nga kompania Albania Airlines. Sipas të dhënave zyrtare, pasagjerët janë nisur rreth orë 15:00 drejt Bolonjës, nëpërmjet një avioni çarter që kompania ka vënë në dispozicion. Ndërkohë, pas kësaj që ndodhi, secili prej pasagjerëve ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim. Drejtori i Aviacionit Civil në Tiranë, Ervin Mazniku shprehet se nuk ka ende një informacion zyrtarë rreth shkaqeve që çuan devijimin e fluturimit, nga aviacionin civil sllovak, i cili është përgjegjës për këtë situatë. Megjithatë sipas tij, që prej dy ditësh kur lajmi u bë publik, drejtoria ka nisur një investigim për të zbardhur shkaqet e kësaj problematike. Autoritetet Sllovake po përgatisin një raport të hollësishëm për situatën, raport i cili do të mbërrijë shumë shpejt edhe në Shqipëri. “Do ti shkojmë deri në fund hetimit. Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil do mbrojë të drejtat e pasagjerëve” theksoi Mazniku. Nga ana tjetër përfaqësuesi i kompanisë “Albania Airlines, Ilir Kushgjini ka pohuar se vendimi për të devijuar rrugën ka qenë vetëm i dy pilotëve të avionit, për arsye teknike. Sipas tij, kompania shqiptare e fluturimit pritet të nisë një procedim gjyqësor ndaj kompanisë “Air Skllovakia, në varësi të së cilës është avioni si dhe dy pilotët. Por, sërish situata mbetet e paqartë pasi avioni kishte hyrë në territorin italian, në kohën kur pilotët vendosën të devijojnë fluturimin, nga Italia drejt Sllovakisë. Kjo mbetet pista e vetme e investigimit në të cilën nuk përjashtohen problemet që pilotët mund të kenë pasur me kompaninë e tyre.

Skandali

Edhe Sllovakia
nis hetimet

Administrata e Aviacionit Civil në Sllovaki thotë se janë ende të paqarta dhe do të hetohen arsyet e devijimit të avionit. Edhe nga ministria e Transportit në Shqipëri është informuar dje se një grup specialistësh do të hetojnë ngjarjen. Faqja online The Aviation Herald, e cila informon për incidentet ajrore të ndodhura nga prilli i 2004 deri në ditët e sotme, saktëson itinerarin e fluturimit të këtij avioni deri në mbërritjen e tij në aeroportin e Bratislavës. Avioni ishte nisur nga Tirana në orën 16. 31 minuta me një vonesë prej 91 minutash dhe duhej të mbërrinte në Bolonja në 18.1 minuta. Një fluturim direkt nga Tirana në Bratislavë mund të zgjasë 90 minuta, dhe 105 minuta (nga aeroporti në aeroport) por fluturimi ka zgjatur 129 minuta duke zbritur në Bratislavë në orën 18:40 minuta.

Udhëtarët mbërrijnë në Bolonja,
pas 15 orësh pritje

Pas 15 orë pritje në aeroportin e Bratislavës, pasagjerët janë nisur drejt vendit ku duhet të kishin mbërritur vetëm pas 1 ore e gjysëm fluturim nga Rinasi. Një avion i nisur nga Amsterdami ka udhëtuar dje drejt Bratislavës dhe ka bërë të mundur transportimin e 110 pasagjerëve me shtetësi shqiptare në destinacionin për të cilin kishin prerë dje biletën, atë të Bolonjës. Avioni i Albania Airlines i tipit Boeing 737/300 ishte nisur dy ditë më parë rreth orës 16.31 nga aeroporti Nënë Tereza në Tirana dhe do të zbriste në Bolonja të Italisë, por avioni ka devijuar dhe pasagjerët janë gjendur “të rrëmbyer” në tokën e huaj.


Ky lajm është publikuar: 19/01/2010