Fatos Tarifa, ish-ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, situatën e krijuar me ambasadën shqiptare në Washington e quan si një turp të madh për shtetin shqiptar.


"Eshtë një ngjarje shumë e rëndë, është shumë serioze. Mua më vjen keq për ambasadorin e atjeshëm që të përballet me një problem të tillë, gjë për të cilën ai duhet ta kishte të fjetur mendjen. Eshtë shteti ai që mendon për financimin e ambasadave tona. Diplomatët dhe ambasadat shqiptare janë një e mirë publike shumë e madhe, janë një kapital për vendin tonë, sidomos kur ato kanë në dorë shumë të bëjnë për imazhin e vendin tonë nga iu cili ne vuajmë shumë. Që të lësh ambasadën kryesore në botë që ka Shqipëria atë të Washingtonit në këtë gjendje mjerane, pa asnjë kacidhe në buxhetin e saj, do të thotë që je një shtet joserioz, je një shtet që nuk mendon për imazhin tënd, je një shtet që nuk mendon për marrëdhëniet e mira me këtë superfuqi të botës, je një shtet që nuk meriton të përfaqësohesh madje në botë. Eshtë një situatë shumë e vështirë. Ajo ambasadë ka patur probleme edhe më parë, por të paktën në këtë gradë që ka ardhur sot nuk ka qenë. Besoj se është një rast i veçantë", thotë ish-ambasadori, tranmetonTop Channel. 


Sipas zotit Tarifa paratë e shpenzuara nga Qeveria për kompanitë lobuese 'Patton Bogs' dhe 'Podesta' janë alogjike.


"1.5 milion dollarë është shumë tejet e madhe për të paguar lobistët. Eshtë një shumë disproporcionale me buxhetin që ka ambasada e shteti tënd në Washington, disa herë më e madhe. Kjo shumë është e barabartë me buxhetet vjetore të shumë ambasadave, ndoshta të gjitha ambasadave shqiptare në vendet e BE-së. Kjo është alogjike, e pakuptueshme. Eshtë një shumë që përdoret për imazhin e një apo dy politikanëve, por jo për interesat publike të vendit tonë dhe jo për interesat kombëtare të Shqipërisë. Kjo është një shumë e pajustifikuar. Lobimi njihet si praktikë, edhe në kohën kur unë isha ambasador është lobuar nga Qeveria shqiptare, por jo në këto shifra, jo në këtë masë dhe rezultati ka qenë pozitiv, hyrja e Shqipërisë në NATO", theksoi Tarifa.


Në këndvështrimin e Fatos Tarifës shqetësimet e drejta të ambasadorit tonë në Washington e nxjerrin diplomacinë dhe shtetin shqiptar si jo serioz përballë SHBA-ve.


"Nuk jemi shtet aq i varfër sa të lemë pa para ambasadorin tonë në Washington ose ambasadën tonë në Washington. Eshtë një turp i madh kjo tregon se ne nuk jemi serioz në radhë të parë, sidomos në marrëdhënien me partnerin tonë kryesor, SHBA-të. Nuk mund të mbyllim një ambasadë që po rrënohet si godinë, se është pronë e shtetit shqiptar, e blerë 1.7 milion dollarë. Sa paguhen sot këto kompanistë lobiste është blerë ajo ambasadë. Ajo ndërtesë është lënë në një gjendje të keqe", tha Tarifa. /Indeksonline/