qyteti_studentiNë këto ditë të nxehta vere, mbi 300 banorë të godinës 15 në Qytetin Studenti, janë pa energji elektrike, ndonëse e kanë paguar atë. Skandali është bërë publik në media nga vetë banorët e kësaj zone të cilët kanë deklaruar ditën e djeshme se për shqetësimin e tyre ata kanë trokitur në dyert e Drejtorisë së Qytetit Studenti ku paguajnë çdo muaj nga 100 mijë lekë të vjetër për qiranë dhe për energjinë elektrike, por kanë gjetur dyert e mbyllura dhe kësisoj nuk kanë mundur të marrin asnjë përgjigje. Të interesuar për një përgjigje të shpejtë në këto ditë të nxehta gushti, banorët janë shprehur se fakti që ata kanë paguar çdo faturë dhe energjia elektrike u është ndërprerë pa shkak, përbën një skandal të madh. Ne gjendemi në mëshirë të fatit, Drejtoria e Qytetit Studenti dhe CEZ ja edhin fajin njëri tjetrit, shkojmë pranë zyrave të Korporatës së Energjisë dhe ata thonë se nuk janë paguar faturat, ne kemi paguar çdo detyrim dhe duam me çdo kusht të zgjidhet problemi që kemi, institucionet të marrin secili përgjegjësitë e të mos na e faturojnë ne fajin është shprehur ditën e djeshme një prej banorëve që jeton në godinën nr 15 në Qytetin Studenti.


Problemi


Lidhur me këtë problem, Drejtori i Qytetit Studenti, Bujar Brovina i kontaktuar me telefon nga mediat ka treguar se po interesohet për çështjen. Ai nuk ka një shpjegim për ndërprerjen e energjisë aktualisht dhe tregon se çdo vit, shlyerjen e detyrimeve për gjithë Qytetin Studenti e bënte në tetor. Duke pranuar se drejtoria është debitore ndaj CEZ, Brovina pranon se pret lëvrimin e fondit për të bërë një pjesë të pagesës. Ndërsa nuk dihet, ku kanë përfunduar shumat e paguara nga ish të përndjekurit politikë të kësaj godine, nuk dihet edhe për sa kohë do të vazhdojnë pa energji. Drejtori i Qytetit Studenti tregon se financimi që pritet të marrë në gusht nuk i mbulon gjithë detyrimet ndaj CEZ.


Reagimi i CEZ


Pas shqetësimit të ngritur nga banorët e godinës 15 në Qytetin Studenti, CEZ Shpërndarje shpjegoi arsyet e ndërprerjes së energjisë. Drejtori i Faturimit Erald Zeneli bëri të njohur për median detyrimet që Drejtoria e Qytetit Studenti ka ndaj kompanisë CEZ Shpërndarje. Sipas tij nga verifikimet e kryera, Drejtoria e Qytetit Studenti nuk ka kryer pagesën e detyrueshme për faturat e energjisë dhe lidhur me problemin e banorëve CEZ do të bëjë të pamundurën që të risjellë energjinë për të gjitha familjet duke e toleruar parregullsitë që janë bërë për mospagimin e faturave që kapin vlerën e disa milionë lekëve.