VLORË- Skënderbeu ka humbur kryesimin e kampionatit 4 javë përpara fundit, duke pësuar një disfatë shokuese në Vlorë, përballë Flamurtarit, skuadrës, së cilës i mori titullin një vit më parë. Vendasit kanë bërë një ndeshje shumë të kujdesshme, duke arritur një fitore që e bën thuajse të sigurt vendin e katërt dhe pjesëmarrjen në Kupat e Evropës. Goli i vetëm i këtij takimi, mban firmën e kroatit Pero Pejiç në minutën e 4-t. Skënderbeu është përpjekur të barazojë, sidomos në pjesën e dytë, por e ka patur të vështirë përballë një ekipi që është mbrojtur mjaft mirë. Me këtë humbje, korçarët lëshojnë kreun e renditjes së kampionatit, që tashmë e mban Teuta. Kjo e fundit mundi 2-1 Shkumbinin në fushën e saj dhe është kthyer sërish një pretendente. Ndërkohë, Tirana ka fituar 1-0 ndaj Tomorit, në sajë të një goli në minutën e fundit nga Bekim Bala, që i ka çuar bardheblutë 3 pikë larg kreut. Në zonën e rënies, Kamza fitoi 3-1 ndaj Laçit, ndërsa Pogradeci barazoi 1-1 me Bylisin. 
(el.me/A.Latifi/BalkanWeb)