Londër - Trajneri i Çelsit, Luis Filipe Skolari, kërkon përforcime për skuadrën e tij në merkaton e janarit. The Sun publikon se tekniku i ka drejtuar një kërkesë presidentit, Roman Abramoviç, dhe drejtorit ekzekutiv, Peter Kenjon, për të afruar disa lojtarë në merkaton e janarit. Skolari kërkon alternativa për vijën e sulmit, pasi Anelka dhe Drogba nuk japin gjithmonë siguri për skuadrën.
Gjithashtu, në kërkesat e tij parashtrohet edhe një organizator si alternativë e Dekos, Balakut, Lampardit apo edhe e Xho Kolit, pasi lojtarët në fjalë kanë shfaqur kohët e fundit probleme fizike.
Por është Kenjon, drejtori ekzekutiv, i pari që thotë se skuadra blu nuk do të bëjë asnjë blerje në këtë merkato, pasi presidenti Abramoviç është duke vuajtur pasojat e krizës ekonomike që ka prekur mbarë botën. Këto probleme e kushtëzojnë mjaft skuadrën e Çelsit për t’iu përgjigjur kërkesave të teknikut Skolari.