Aeroplani i kompanisë Aeroflot që u raportua se po bart informatorin amerikan Edward Snowden ka ateruar në aeroportin e Moskës.
Ish-kontraktori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë amerikane, që ka nxjerr në opinion sekretin e programeve shtetërore të spiunimit, është nisur të dielën në mëngjes me aeroplan nga Hong Kongu për në Moskë.
Në aeroportin e Moskës janë grumbulluar qindra gazetarë, por askush nuk e ka parë ende Snowden.
Para hyrjes është parë e parkuar edhe një veturë e ambasadës së Ekuadorit në Moskë, për të cilë mediet ndërkombëtare dyshojnë se ka ardhur për ta marr Edward Snowden, transmeton Rel.
Mediet kineze ndërkaq kanë raportuar se Moska nuk është destinacioni final i Snowden.
Ndërsa zyrtar i kompanisë Aeroflot thotë se Snowden ka rezervuar më herët një biletë nga Moska për Havanë, Kuba, i cili niset të hënën me 24 qershor.
Më pastaj, nga Havana korrespondenca e tij vazhdon për Karakas të Venezuelës.
Edward Snowden kërkohet nga autoritetet amerikane për vjedhjen e pronës shtetërore, shpërndarjen e informatave të klasifikuara si sekrete dhe komunikimit të paautorizuar të informatave të mbrojtjes amerikane.
Për secilën akuzë, Snowden mund të dënohet me nga 10 vjet burg./Indeksonline/