Sipas një sondazhi të realizuar nga Instituti për Kërkime Sociale pranë universitetit të Miçiganit në SHBA, indeksi i lumturisë është në rritje në shumicën e vendeve të botës.


Të dhënat e studimeve nga përfaqësuesit kombëtarë, të realizuara nga viti 1981 deri në vitin 2007, tregojnë se indeksi i lumturisë është në rritje pozitive në shumicën e vendeve të studiuara.


Në listën me 97 shtete të marra në studim dhe që përbëjnë 90 për qind të globit, Maqedonia radhitet në vendin e 79-të, e pasuar pak më mirë se Bullgaria, Shqipëria, Rumania dhe Bosnja.


Të dhënat e sondazhit bëjnë të ditur se Danimarka është kombi më i lumtur në botë dhe Zimbabve më i palumturi.


Gjatë 26 viteve të shkuara, në këtë sondazh janë përfshirë më shumë se 350.000 njerëz që janë pyetur sa të lumtur janë, duke përdorur dy pyetje të njëjta.


“Duke marrë parasysh të gjithë gjërat, a mund të na thoni, nëse jeni shumë i lumtur, pak i lumtur, jo shumë i lumtur dhe aspak i lumtur?”


Si dhe, “Duke i marrë të gjitha parasysh, sa i lumtur jeni me jetën tuaj?”


Duke kombinuar përgjigjet për këto dy pyetje, shkencëtari Ronald Inglehart i universitetit të Miçiganit dhe kolegët e tij ndërtuan një indeks të mirëqenies subjektive që reflekton lumturinë dhe gëzimin e jetës së përgjithshme.


Po kaq i rëndësishëm është dhe fakti se, pse është në rritje kjo lumturi. Rritja ekonomike, demokratizimi dhe rritja e tolerancës sociale kanë kontribuuar në rritjen e lumturisë. (INA)