Çdo ditëlindje ka emocionin e saj. Çdo ditëlindje, institucioni, njeriu apo çdo gjë qoftë, emocionin e merr në përkujtim, në raport me vlerat që ka. Se mund të mbushësh 12 vjet si gazetë - mund të mbushësh edhe 100 dhe mund të mos ketë kurrfarë emocioni - ose mund të jetë një trishtim i madh për të gjithë shoqërinë.
Sigurisht në 12 vjet, në artikuj e tituj, mund të kemi gabuar, tepruar ose keqinformuar dhe është rasti sot t’u kërkojmë ndjesë të prekurve.
    Por 12 vjet e 4 mijë numra të “gazetës 55” janë në sy të njerëzve, në sy të të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit. Dhe pa e ndërlikuar problemin, madje po e bëj të divulguar. Të gjithë shqiptarët kudo që janë e kanë shumë të qartë se komunizmi, Enver Hoxha, e gjithë ajo periudhë nga ’44-a deri në ‘90-91, filloi me vrasje dhe u mbyll me vrasje, me vrasje shqiptarësh, që përbënin elitën intelektuale, që përbënin mendimin shoqëror, që përbënin palcën ekonomike të vendit, që donin Shqipërinë, që donin Kosovën, dhe u vranë, u vranë pafund, u burgosën se nuk donin Enver Hoxhën dhe komunizmin. Këta ishin shqiptarë, shqiptarë zotërinj dhe ne, jetës së tyre, u kemi bërë jehonë dhe natyrisht kemi përdorur akuzën më të thellë, më të lartë kundër shkaktarëve të këtij krimi. Komunistëve të Enver Hoxhës, që e lidhën Shqipërinë pas qerres së Serbisë e të Rusisë, komunistëve që nuk duronin flokët e gjata, pantallona e tualet tek gratë, komunistëve që burgosën hoxhallarët e priftërinjtë, komunistëve që u përpoqën të shpikin një dashuri të paqenë, dashurinë për Internacionalen Komuniste. A është e qartë për gjithëkënd kjo, që “55”-a të ketë mbajtur këtë qëndrim? Është e qartë! Dhe jemi në rregull me Shqipërinë dhe shqiptarët. Jemi krenarë që kemi botuar dokumente pafund që Enver Hoxhën, Nexhmije Hoxhën, Ramiz Alinë, Hysni Kapon, Kadri Hazbiun, etj, i kemi parë dhe interpretuar mbi bazën e të vërtetës në sy të njerëzve, si kriminelë kundër shqiptarëve. Ne nuk jemi ndalur edhe në furtunën e dytë, atë të rebelimit komunist të ’97-s, kur falangat e tregishtërinjve ngjallën përsëri tollovi ndër shqiptarë dhe “55”-a ishte në ballë të mbrojtjes dhe të qartësimit të mendjes së shqiptarëve. Nëse dikujt i dhimbsen njerëzit që çonin në pushkatim e kërcënim në ‘97-n, ne nuk i shërojmë dot nga dashuria e vjetër për krimin komunist, por “55”-a u bë sqaruesja dhe dritarja nga mund të shihje se cila ishte e vërteta, kush ishte njeriu që duhej mbështetur dhe cila filozofi apo platformë politike vlente për vendin, vlente si qeverisje e shqiptarëve. Dhe “55”-a ia arriti qëllimit. Me dhjetëra njerëz të zakonshëm apo personalitete politike, që u mashtruan nga intrigat e ‘97-s, u rikthyen në gjirin e së vërtëtës, të arsyes e të së drejtës, dhe sot ndodhen në kampin e duhur, në kampin e drejtuar nga kryeministri Sali Berisha.
Për 5 vjet, “gazeta 55”, nga 1997-2002 ishte e vetmja tribunë, e pas kësaj - edhe më lumturisht akoma - ishte e vetmja gazetë që kurrë nuk u përzie në intriga e klane, nuk shpifi e shpiku, as për brenda PD-së, as për jashtë saj, nuk shpiku e shpifi asgjë të paqenë a të keqe, që do të shërbente si shantazh për të marrë poste, grada e marifete të tjera, që do t’u dalë boja edhe pak më vonë.
Kurrë ndonjëherë, në gazetën “55” në radhë të parë, nuk është rënduar, për motive personale, askush nga njerëzit brenda PD-së, nuk është shantazhuar apo komplimentuar kot së koti. Kjo ka bërë një dallim të madh të “55”-s, nga gjithkush. Natyrisht, gazeta “55” është më e hapur dhe është rasti të kujtojmë letrën e ish-ambasadores amerikane Mariza Lino në falenderim të kësaj gazete, për kryeartikullin “Cili lob e sulmon Mariza Linon?”. Se ne kemi qenë, jemi, dhe e themi çdo ditë e çdo orë “Zoti e bekoftë Amerikën”, që e ktheu Kosovën në projektin që Zoti vetë e bëri, që i dha lirinë dhe shembi murin e ferrit komunist, në botë dhe në Shqipëri. “55”-a ka qenë gjithnjë e qartë dhe shumë e informuar për rolin e miqve të Shqipërisë dhe shpesh është përplasur me falangat e zeza të nomenklaturave të koduara të ndonjë fqinji që e ka Shqiopërinë halë në sy. E qartë dhe në dritë të diellit, “55”-a në 12 vjet është mbështetëse e identitetit evropian të shqiptarëve, traditës qytetërimore, perëndimore, të flamurit të sotëm kombëtar. “55”-a ka bërë sulmet më të ndershme kundër krahut të armatosur të bandave kriminale, krijuar me dashurinë e komunistëve, për gjakun dhe vrasjen.
    12 vjet dhe 4000 numra i plotësojnë veç 4-5 gazeta në Shqipëri, por ne jemi të vetëm në korsinë tonë, ne jemi shëmbëlltyra se mbështetjet dhe preferencat tona politike kanë triumfuar. Ne nuk e kemi anatemuar të mirën, i kemi hapur rrugën asaj, pavarësisht se nga ka ardhur, edhe kur ka ardhur nga e majta, kemi qenë ne konseguentët dhe të parët që i kemi vlerësuar e frymëzuar segmentet e të majtës me prirje integruese drejt BE-së. Në respekt të këtyre, gazeta ka ushtruar një fuqi publicitare për të zbardhur katakombet bllokmene të Partisë Socialiste. Sot, ne plotësojmë kushtin absolut të vlerës, të artit dhe të publicistikës, për një fytyrë origjinale dhe të vetme në shumësinë e gazetave të sotme. Ne jemi të vetëm në korsinë tonë dhe kjo është një vlerë. Në këtë betejë 12-vjeçare kemi marrë 136 padi gjyqësore, dhe ka qenë një kohë prej 8 vjetësh që quhej “koha e gjyqeve”. Ne nuk na është dashur të shpikim persekucion, por po i kujtojmë dikujt se në një akt zyrtar të informimit të qeverisjes socialiste për opozitën, në fillim të 1998-s, emri i drejtorit të gazetës “55” ishte i treti në listën e urrejtjes serbo-banditeske. Për këtë ka shpresa dhe dëshmitarë seriozë, që janë sot dhe kanë qenë funksionarë të lartë, të besuar, si nëpunës të ndershëm të shtetit. Gjatë 12 viteve të ekzistencës, gazetarët dhe bashkëpunëtorët tanë kanë qenë pa asnjë lloj imunitetit. Po e themi këtë, që të mos ta bëjmë detin kos.
5-vjetëshi i parë 1997-2002 ishte trimëri dhe guxim. Pastaj, ishte pluralizëm. Por pikërisht për këto qendrime, për një histori të veçantë të kësaj gazete, ajo është mbështetur dhe përkrahur nga mijëra njerëz, dhe nga dhjetëra biznesmenë. Bashkë me falenderimin për lexuesit e vendosur të kësaj gazete, ne shprehim falenderimin për të gjithë mbështetësit tanë. Lexuesi i “55”-s është një njeri i rëndësishëm në komunitetin ku jeton, ai ka biografi, inteligjencë dhe rol në kontekstin social e moral ku ndodhet. Gazeta “55” ka privilegjin që ata që e adhurojnë dhe ata që nuk e duan, e lexojnë me të njëjtën këmbëngulje, paçka se këta të dytët, fshehurazi, dhe e kupton vetëm kur shfaqen nëpër ekrane dhe artikuj; o duke vjedhur ndonjë tezë, o duke sulmuar, por pa e zënë emrin në gojë. 5-a është një numër i shenjtë dhe shumë i rëndësishëm në historinë e padukshme të botës. Ne ia kemi vënë emrin “55” në kujtim të atyre heronjve të mendimit të lirë. Diktatura me këtë nen u priste kokën. Ne e kemi realizuar misionin e shprehjes së lirë. Ne u bëjmë thirrje sot kolegëve tanë në media që të mos i përkëdhelin kriminelët e komunizmit, Ramiz Alinë, Nexhmije Hoxhëen, oficerët e Sigurimit, vrasësit e shqiptarëve , njëkohësisht edhe vrasës të shokëve të tyre. Mos ua dëgjoni gënjeshtrat dhe mashtrimet dhe mos pranoni shërbime të neveritshme të këtyre pleqve si Ramiz Alia që po vdes prapë duke vrarë, me ato që thotë. Janë këta ish-udhëheqësit vetmitarë të marksizëm-lenimizit në botë, si Ramiz Alia që e kalon gjysmën e vitit në Dubai dhe asnjë gazetë nuk shkruan. Pse? Këta që gjëmojnë skupet, me mashtrimet dhe gënjeshtrat nuk u bën përshtypje ky marksist-leninist i shquar që thotë se 2 korrikun e ambasadave dhe 2 korrikun e Kaçanikut e bënë serbët. Po ka më serb se ç’ishte ai? Ai e bënte vetë.
Ja pra, një fushë e madhe për të qenë i vërtetë dhe ne ecim në këtë fushë me 4 mijë numra, edhe pse në të hasen mina të sofistikuara shpifjesh e rreziqesh, nga ato që, si vëllai i Enver Hoxhës dhe i krimit, Edi Rama, i investon duke paguar.
“55”-a është gazeta më vlerësuese për inteligjencien shqiptare, ajo i ka nxjerrë nga ndalimi të gjithë personalitetet e kulturës shqiptare dhe i ka përkrahur dhe njohur kontributet e të gjithë artistëve dhe shkrimtarëve të kombit. Dhe është krenare që ndjehet afër dhe në vazhdë të figurave që nga Gjeçovi, Fishta, Kuteli, Poradeci, Kadareja, Xhuvani, Koreshi, etj. Sigurisht, tani ne kemi grumbulluar një përvojë të madhe. Veçanërisht informacioni është shumë i thellë dhe i gjerë. Ne do të dimë ta vazhdojmë këtë rrugë të nisur pa u ndalur, pa hezituar, që të jemi sa më afër të vërtetës, të vërtetës që u jep liri shqiptarëve, u jep mirëqenie. Ne nuk do t’i sulmojmë vlerat, ne do t’i mbrojmë, do t’u bëjmë jehonë dhe do të zbulojmë të tjera. Kjo është e ardhmja dhe sigurisht do të jetë po aq e bukur sa biografia e kësaj gazete, e cila është impresionuese, siç është impresionues misioni i saj, sa më afër të vërtetës, sa më afër vlerës.

...