Sot ka filluar zyrtarisht procesi i deklarimit të rregullt të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik të cilët janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre tek Agjencia kundër Korrupsionit konform Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të Gjithë Personat Zyrtar.

Sipas Ligjit deklarimi i pasurisë fillon nga data 1 mars dhe përfundon më 31 mars.

Zyrtarët e lartë publik që kanë deklaruar pasurinë me marrjen e detyrës nga 1 janari i këtij viti e deri më tani nuk janë të obliguar të paraqesin edhe deklarimin e rregullt vjetor.

Plotësim ndryshimi i ligjit ka paraparë edhe disa pozita të reja që ma herët këta zyrtar nuk kanë pasur për obligim të deklarojnë pasurin, këta zyrtar të lartë publik duhet të deklarojnë pasurinë sipas kësaj kërkese.

Sipas komunikatës në rast të mosrespektimit të Ligjit nr. 04/L-050, si dhe ligjit nr. 04/L-228 për deklarimin e pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik, Agjencia kundër Korrupsionit do ushtrojë kallëzim penal në pajtim me nenin 437 të Kodit Penal.

"Agjencia kundër Korrupsionit është e hapur të bashkëpunoj me të gjithë zyrtarët (pikat kontaktuese) kontaktues si dhe me të gjithë zyrtarët e lartë publik të institucioneve në mënyrë që procesi një mujor i deklarimit të pasurisë të përfundoj me sukses", thuhet në komunikatë. /Telegrafi/