Shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare mbush sot 75 vjeç. Me rastin e këtij përvjetori, do të organizohet aktivitete të ndryshme në Shqipëri, Kosovë dhe Francë ku studiues dhe njohës të veprës së akademikut Ismail Kadare do të mbajnë referate mbi krijimtarinë e tij letrare.

Kadare është shkrimtari më i njohur shkrimtar në arenën ndërkombëtare, i përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe i vlerësuar nga kritika botërore.


Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm, më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës.


Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki" (1958-1960).


Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit ("Frymëzime djaloshare", 1954, "Ëndërrimet", 1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin “Shekulli im” (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike. Por sot Kadare është i njohur për prozën e tij, ku vepra e parë e rëndësishme është “Qyteti pa reklama”.


Romane të tjera si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964), “Kështjella” (1975), “Kronikë në gur” (1970) etj., vazhdojnë të kenë sukses. Që prej vitit ‘90 shkrimtari jeton mes Parisit dhe Tiranës. Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”, është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Në vitin 2009 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, "Princi i Asturias për Letërsi", një nga çmimet më prestigjioze në botën letrare. Në këtë konferencë jubilare do të merren në shqyrtim aspekte të ndryshme letrare, por edhe raportet e shumëdiskutuara të shkrimtarit me kohën kur jetoi.