Anilejda Shëmbitraku



Nis lëvizja e lirë e shqiptarëve në zonën “Shengen”. Ka hyrë në fuqi sot vendimi i Parlamentit Europian, i cili lejon qytetarët e Republikës së Shqipërisë të lëvizin pa viza për të udhëtuar në 25 shtete anëtare të BE-së, si dhe në 3 shtetet e tjera joanëtare të BE-së, pjesë të zonës “Shengen”. Tre shtetet joanëtare të BE-së, por që janë në zonën “Shengen”, janë Zvicra, Islanda dhe Norvegjia. Sipas manualit që ka shpërndarë BE-ja, duke filluar nga data 15 dhjetor 2010, qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të pajisur me një pasaportë biometrike, do të mund të lëvizin të lirë brenda zonës “Shengen”.



Manuali

Në manualin e shpërndarë bëhet e ditur se çfarë duhet të kenë parasysh shtetasit shqiptarë gjatë udhëtimit të shumëpritur që mund të ndërmarrim pas 16 dhjetorit. "Personave që zotërojnë pasaportë biometrike, në mënyrë që të udhëtojnë lirisht drejt shteteve “Shengen”, nuk u duhet të plotësojnë kërkesa të tjera financiare apo administrative. Megjithatë, qytetarëve nga vendet e treta mund t`u kërkohet në kufi të tregojnë mjetet e udhëtimit dhe mjetet e jetesës gjatë qëndrimit të tyre në zonën “Shengen”. Atyre mund t`u kërkohet specifikimi në vendin ku do të qëndrojnë, p.sh. të tregojnë rezervimin e hotelit apo adresën e vendit ku do të qëndrojnë”, - thuhet në manualin e KE-së. Gjithashtu, sipas fletëpalosjes, udhëtarët nuk mund të konsiderohen si persona që përbëjnë një kërcënim për rendin, shëndetin publik apo sigurinë e brendshme. “Ata nuk duhet të jenë persona ndaj të cilëve është dhënë ndonjë vendim për të refuzuar hyrjen në zonën ‘Shengen’. Autoritetet kufitare të shteteve anëtare kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen e personave që nuk plotësojnë këto kërkesa dhe të vendosin përfundimisht nëse do të lejojnë hyrjen e atij personi në zonën ‘Shengen’”, - thuhet më tej në manualin e KE-së.



Punësim

Në manual bëhet e ditur se vizat Shengen nuk janë për qëllime punësimi. Shqiptarët duhet të bëjnë kujdes, pasi rregullat e reja aplikohen vetëm për qëllime udhëtimi. Rregullat nuk u japin qytetarëve shqiptarë të drejtën për të qëndruar më shumë se tre muaj, si dhe as të drejtën për t`u punësuar në këto shtete. Nëse keni ndërmend të punësoheni apo të studioni për një periudhë që tejkalon 90 ditët, më parë duhet të aplikoni për vizë afatgjatë ose për leje qëndrimi në ambasadën apo konsullatën e shtetit ku do të shkoni. Është e ndaluar të punoni në zonën “Shengen” pa leje pune, apo të jetoni aty pa lejen përkatëse të qëndrimit. Qëndrimi mbi 90 ditë do të konsiderohet i jashtëligjshëm. Në rast se nuk zotëroni një leje qëndrimi apo një leje qëndrimi tjetër afatgjatë, përtej afatit në 90-ditor, atëherë i bie që qëndrimi i shqiptarëve është i jashtëligjshëm dhe, për pasojë, nuk mund të lejohet sërish në zonën “Shengen”.



Agjencitë

Lulëzon biznesi me liberalizimin e vizave



Hyrja në fuqi e vendimit të Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë brenda hapësirës “Shengen” ka rritur prenotimet pranë kompanive ajrore. Përfaqësues të disa prej këtyre kompanive bënë të ditur se ka një rritje të kërkesës për bileta drejt vendeve “Shengen” me rreth 20% për ditët e fundit të muajit dhjetor, që përkon edhe me hyrjen në fuqi të vendimit për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, por edhe me festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Sipas tyre, një lëvizje e tillë që nënkupton rritjen e çmimit të biletave të ofruara nga kompanitë ajrore do të sillte një efekt të kundërt, pasi shumë prej qytetarëve shqiptarë do t`i drejtoheshin alternativave të tjera për të lëvizur, si tragetet apo autobusët. Edhe drejtuesit e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës kanë shpjeguar se janë të gatshëm që të presin një numër në rritje të pasagjerëve që do të frekuentojnë avionët, kjo si pasojë edhe e zgjerimit të aeroportit një vit më parë.



Haxhinasto: “Një moment historik për shqiptarët”



Sot ka hyrë në fuqi vendimi për qytetarët shqiptarë për të lëvizur pa viza në hapësirën “Shengen”. Mesazhi i ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto ka qenë: “Është e vërtetë që më takon mua të jap mesazhin për qytetarët shqiptarë, por në këtë përmblidhet i gjithë kontributi i të gjithë paraardhësve të mi dhe i institucioneve të vendit, veçanërisht i qeverisë, që realizuan detyrimet për të arritur një vendim të tillë. Mesazhi i sotëm për shqiptarët është ky: Sot është një moment historik për ta, është një moment ku përkatësia e tyre europiane tashmë preket me dorë e do ta ndiejnë një pjesë më të madhe të Europës në vetvete dhe në mundësinë e tyre, për të qenë pjesë e saj, për të udhëtuar të lirë në hapësirën e Shengenit dhe për t’u ndier qytetarë të Europës së Bashkuar”. Deklaratës së tij ministri i ka shtuar dhe apelit ndaj qytetarëve për të respektuar kushtet e liberalizimit të vizave. “Në rastin e Shqipërisë ka pasur një fushatë shumë intensive të informimit publik. Qytetarët e dinë shumë mirë se ç’do të thotë të udhëtosh pa vizë dhe cilat janë detyrimet. Unë jam i bindur se qytetarët shqiptarë do të dinë të sillen si europianë, pra të respektojnë kohën e qëndrimit në cilindo vend të hapësirës ‘Shengen’. Apeli tashmë është i qartë”, - ka deklaruar ministri.



Ambasadori i SHBA-ve

Arvizu: “Lëvizja e lirë është e merituar”



Shqipëria ka bërë progres të madh në rrugën drejt integrimit europian. Kështu është shprehur ambasadori i ri i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, në një takim me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Gjithashtu Arvizu ka përshëndetur fillimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën “Shengen”. Ai theksoi se lëvizja e lirë nuk ishte dhuratë, por fryt i përpjekjeve dhe reformave të ndërmarra për përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Bashkimi Europian. Gjithashtu ambasadori Arvizu shprehu vullnetin e qeverisë amerikane për të promovuar dhe mbështetur forcimin e institucioneve ligjzbatuese dhe zbatimin e ligjit në Shqipëri. Nga ana e tij, ministri i Brendshëm Basha i shprehu ambasadorit Arvizu mirënjohjen e veçantë të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit për kontributin dhe ndihmën e qeverisë së SHBA-ve për modernizimin e Policisë shqiptare.





15 Dhjetor 2010