nausikaIsh-konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë në Milano, Nausika Spahia, i ka cilësuar shpifje dhe mashtrime akuzat e ngritura ndaj saj nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Në një deklaratë për mediat, Spahia ka theksuar se akuzat ndaj saj janë politike dhe se për çdo veprim të bërë nga konsullata ka qenë në dijeni Ministria e Jashtme.


Jam e detyruar të reagoj për atë që mund ta quaj një fushatë shpifjesh e mashtrimesh në lidhje me aktivitetin e Konsullatës së Shqipërisë në Milano.


Po paraqes më poshtë një informacion të detajuar, që hedh poshtë në çdo pikë akuzat qe me drejtohen nga Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme.


1)Menaxhimi i pasaportave biometrike me call center.


Kryeministri dhe Ministri gënjejnë në mënyrë të paskrupullt kur shprehen për abuzime me shërbimin call center.


Si për çdo veprim tjetër, ashtu edhe në këtë rast, MPJ ka qenë e informuar në detaje gjatë gjithë kohës.


Marrja e vendimit për menaxhimin e situatës emergjente dhe kritike në momentin e daljes jashtë përdorimit të pasaportave të vjetra, është bërë në koordinim të plotë me kabinetin e Ministrit Haxhinasto i cili ka dhënë aprovimin dhe udhëzimin që përveç Call center, të ofrohet shërbimi edhe nëpërmjet platformës elektronike (email). Ky aprovim është dhënë nga Kabineti i Ministrit Haxhinasto dhe firmosur nga Drejtori i Drejtorisë Konsullore Z. Bala. Ndërkohë që në shkesat e mia të protokolluara (p.sh. nr prot. 57, dt 26.03.2012 drejtuar Drejtorit të Kabinetit të Ministrit Haxhinasto, Z. Ilir Melo dhe përcjellë edhe Drejtorit të Drejtorisë konsullore, Z. Bala) kërkoj ndër të tjera që të aktivohen numra jeshilë, pra falas, për qytetarët.


Komunikimi me Kabinetin e Ministrit dhe Drejtorinë Konsullore është i protokolluar pranë MPJ,  Konsullatës në Milano dhe Ambasadës Shqiptare në Romë.


2) Ministri i Jashtëm Bushati deklaron mbylljen e Call Center nga ana e qeverisë Rama.


Gënjen, sepse mbyllja e kontratës me Call center është bërë me kërkesën time menjëherë pas reduktimit drastik të kërkesave për aplikime. Kjo ndodhi pa ardhur akoma në detyrë qeveria Rama. Kopje e zgjidhjes së kontratës është përcjellë në MPJ. Pra Ministri Bushati po gënjen hapur qytetarët shqiptarë.


Call centeri ka qenë një zgjidhje e përkohshme në një situatë emergjence, më e mira zgjidhje e mundshme në atë moment dhe mbi të gjitha e bashkangjitur dhe me miratim të MPJ e cila ka çdo kopje kontrate dhe detajim të veprimeve konsullore.


Thënë kjo, call centeri ka qenë një nga zgjedhjet e mundshme për qytetarët të cilët kanë pasur në dispozicion edhe emailin, postën, apo paraqitjen direkt në zyrë.


3)  Ministri mashtron hapur për 45,000 euro për kompaninë e Call Centerit


Asnjëherë nuk kam firmosur që të transferohen 45,000 euro për asnjë kompani. Është vetëm shpifje që ë dëgjoj në media.


MPJ merr nga konsullata çdo muaj raport të hollësishëm financiar mbi gjendjen bankare dhe mbi pagesat e bëra. Ka çdo pasqyrë mujore të lëvizjeve bankare.


4)  Rënia e rrethimit të sekserëve


Heqja e radhëve në Konsullatë ka tërbuar sekserët që për vite me radhë gjatë qeverisjes së partisë së z.Rama, kanë zhvatur emigrantët shqiptarë dhe që sot pretendojnë të rifillojnë aktivitetin e tyre si diplomatë brenda Konsullatës.


5) Zhdukje evidence e dokumentacioni, shpifje e pastër


Është vetëm mashtrim akuza për zhdukje të dokumentacionit. Kur kam bërë dorëzimet e detyrës kam lënë përveç të tjerave të gjithë dokumentacionin sipas udhëzimeve të MPJ, Konsullit përgjegjës për marrjen e dorëzimeve Z. Rezar Shkëmbi, i cili ka firmosur për rregullsinë e të gjitha dorëzimeve dhe ka përcjellë dokumentacionin në fjalë pranë MPJ.


Me pak fjalë, i gjithë dokumentacioni i shkëmbyer për pikat e lartpërmendura ndodhet i protokolluar pranë Konsullatës Shqiptare në Milano, Ambasadës Shqiptare në Romë si dhe Komunikimit Qendror MPJ, Kabinetit të Ministrit, Drejtorisë Konsullore, thuhet mes të tjerave në deklaratë.


2 shkurt 2014 (gazeta-Shqip.com)


Ky shkrim Spahia: Akuzat shpifje, për çdo veprim kam marrë miratimin e Ministrisë së Jashtme u publikua me pare te Gazeta SHQIP.