Nga Express më 27 prill 2011 në ora 09:30

Futbolli spanjoll është goditur nga një valë e re e sjelljeve antisportive me trendin e hedhjes së topave shtesë në fushë për të ndërprerë lojën.



Përveç ndeshjeve Osasuna-Real Madrid dhe Real Zaragoza-Getafe, kjo ‘taktikë’ u vërejt edhe të dielën kur xhirimet treguan një djalosh, i cili qëllimisht e futi një top në fushë derisa Villarreali u mundua të nxjerrë një pikë nga udhëtimi i tij te Sevilla, ku në fund u mposht 3-2.



“Futbolli luhet me një top, disa njerëz duhet të mësojnë para se të vijnë në stadium dhe të shkatërrojnë një lojë interesante”, shkroi sulmuesi i Villarrealit, Giuseppe Rossi në Twitter pas ndeshjes.



Gjyqtari i ndeshjes Alberto Undiano Mallenco kishte përmendur rastin në raportin e tij të ndeshjes, por Komiteti Disiplinor i Federatës spanjolle të Futbollit gjatë këtij sezoni për incidente të tilla ka gjobitur klubet me nga 600 euro.



“Ne duhet të ndryshojmë rregulloren”, tha zëdhënësi i Federatës, Jorge Carretero, për agjencinë e lajmeve AP.



“Rregullat duhet të parashohin gjoba që janë në përputhshmëri me shkeljen”, shtoi ai. Portieri i Villarrealit, Diego Lopez e kishte shtyrë njërin prej fëmijëve që presin topat pasi kishte menduar se ai ishte duke u munduar të humb kohë. “Është diçka që ju nuk duhet të prisni të ndodhë në stadium, sidomos nëse jeni duke humbur”, tha Lopez.