Austria do të jetë një avokate e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger, vizitoi dje Tiranën zyrtare dhe në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin Meta, ai pohoi se Austria do të mbështesë Shqipërinë. “Austria do ta mbështesë rrugën e Shqipërisë drejt Komunitetit Evropian dhe mendoj se vendi juaj dhe disa vende ballkanike janë duke bërë një punë të mirë drejt këtij synimi. Por, pritet që vetë Shqipëria të bëjë një punë të mirë për të ndjekur procedurat e reformat, për të qenë pjesë e këtij komuniteti”, - u shpreh ministri Spindelegger. Në lidhje me kandidaturën e Shqipërisë për në BE, ai tha: “Ne jemi në favor të faktit që Shqipëria duhet të mbështetet dhe të trajtohet si çdo vend tjetër. Ndaj, jemi të mendimit që KE ta marrë sa më shpejt vendimin që të trajtojë kërkesën e Shqipërisë në BE. Por dihet që për këtë parakushti është stabiliteti politik dhe klima e konsensusit”. Për sa i përket liberalizimit të vizave, ministri Michael Spindelegger tha se vendi ka bërë përparime, por kërkoi plotësimin e kushteve sa më shpejt që të jetë e mundur. “Shqipëria ka bërë hapa përpara për sa i përket liberalizimit të vizave, por ky proces nuk ka përfunduar akoma. Sa më shpejt të plotësohen kushtet, aq më shpejt Shqipëria do të përfitojë”, - tha ministri i Jashtëm austriak.