Presidenti i dytë i Parlamentit austriak, Michael Spindelegger, u shpreh ditën e djeshme në Forumin Ekonomik të Vjenës së biznesi austriak ka pritur prej kohësh që të investojë në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij në këtë forum, i cili u zhvillua ditën e djeshme në Tiranë, Spindelegger tha se Shqipëria ka mundësi të shumta investimi ndaj dhe nuk duhet lënë mënjanë nga bizneset e mëdha. “Shqipëria ka ndërmarrë iniciativa dhe nisma për krijimin e një klime të favorshme për investimet e huaja. Ajo meriton më shumë vëmendje nga investitorët e tuaj. Kompanitë turistike austriake presin të investojnë në Shqipëri”, - tha Spindelegger. Ai tha më tej se Shqipëria ka një pozitë gjeografike tepër të veçantë dhe mund të konsiderohet si një vend shumë pranë korridoreve evropiane. Presidenti i dytë i Parlamentit austriak, Spindelegger, duke iu referuar mbështetjes që Austria i ka dhënë historikisht Shqipërisë, tha se klima aktuale imponon marrëdhënie më të ngushta mes Shqipërisë dhe Austrisë, veçanërisht në fushën ekonomike dhe atë politike.