Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të pësojë ndryshime. Të paktën sporti do ndahet nga kjo ministri. Duke filluar nga muaji shtator, sporti do të shkëputet nga kultura dhe do t’i bashkohet Ministrisë së Arsimit. Këtë lëvizje e konfirmoi Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë prezantimit të strukturës së re të qeverisë së tij, që do të nisë punën pas rreth dy muajsh.
Bashkimi i sportit me arsimin pritet të ketë impaktin e parë në sistemin arsimor, me krijimin e klasave sportive nëpër shkolla, çka sjell zbulimin në kohë të talenteve të reja në disiplina të ndryshme sportive. Një tjetër sfidë e qeverisë së re do të jetë krijimi i terreneve sportive. (E.Ilnica/balkanweb)