25-03-2012 / Gazeta 55

“Ne kemi inkurajuar qeverinë e Shqipërisë që të zbatojë rekomandimet e Bashkimit Evropian, reforma të cilat kërkojnë përpjekje reale dhe të prekshme si dhe angazhimin e opozitës që të pranojë kompromisin politik si pjesë e këtij procesi”.

Departamenti Amerikan i Shtetit reagon zyrtarisht ndaj deklaratave dhe qëndrimeve të shprehura nga ish ambasadori amerikan në Shqipëri, John Withers në disa intervista për mediat vizive dhe ato të shkruara të Tiranës.
TV Klan i është drejtuar zyrtarëve të DASH, nëse janë në dijeni të deklaratave të ish ambasadorit Withers dhe nëse qëndrimet e tij shprehin opinionin e politikës zyrtare të Uashingtonit në raport me Shqipërinë.
Michael J Cavey, zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit është përgjigjur se John Withers nuk flet në emër të DASH apo qeverisë amerikane dhe se deklaratat reflektojnë qëndrimet e tij personale, ndërsa kujton se “janë ambasadori Aleksandër Arvizu dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, të cilët pasqyrojnë politikën dhe marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë”.
“John Withers nuk flet në emër të Departamentit të Shtetit, ose të Qeverisë të SHBA, siç tha ai, deklaratat e tij pasqyrojnë opinionet e tij personale. Pikëpamjet e tij, apo ato të ish zyrtarëve të tjerë, nuk  pasqyrojnë politikën zyrtare amerikane. Ambasadori Arvizu dhe Ambasada Amerikane në Tiranë, dhe deklaratat zyrtare të qeverisë amerikane, pasqyrojnë politikën dhe marrëdhëniet tona me Shqipërinë”, shprehet zëdhënësi i DASH, Michael J Cavey.
Ai kujton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një mik dhe aleat i fortë i Shqipërisë në aspiratën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian. Zyrtari amerikan thekson gjithashtu se Shqipëria së bashku me SHBA është kontribuuese e NATO-s për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një mik i fortë i Shqipërisë dhe një mbështetës potent i aspiratës së Shqipërisë dhe shqiptarëve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Shqipëria dhe SHBA janë aleatë së bashku në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO)”, tha Cavey.
Zëdhënësi i DASH deklaroi gjithashtu se Uashingtoni inkurajon faktorin politik shqiptar në realizimin e rekomandimeve të Brukselit, të cilat kërkojnë angazhimin e opozitës në arritjen e kompromisit politik mes palëve.
“Ne kemi inkurajuar qeverinë e Shqipërisë që të zbatojë rekomandimet e Bashkimit Evropian, reforma të cilat kërkojnë përpjekje reale dhe të prekshme si dhe angazhimin e opozitës që të pranojë kompromisin politik si pjesë e këtij procesi. Në të njëjtën kohë ne i kemi kërkuar opozitës që të jetë përgjegjëse dhe e përgjegjshme, pasi në një demokraci të pjekur kërkohet pjesëmarrje e plotë, aktive dhe konstruktive në parlament. Ne i bëjmë thirrje dy liderëve politik të qeverisë dhe opozitës, për të gjetur fushat e kompromisit politik. Është koha që liderët politik të bëjnë progres të prekshëm në axhendën e reformave, në mënyrë që Shqipëria të lëvizë më shpejt drejt së ardhmes së saj evropiane”, përfundon reagimi zyrtar i DASH, lidhur me deklaratat dhe komentet mediatike të ish ambasadorit, John Withers.

Sqarimi i plotë i Departamentit amerikan të shtetit
“John Withers nuk flet në emër të Departamentit të Shtetit, ose të Qeverisë së SHBA, siç tha ai, deklaratat e tij pasqyrojnë opinionet e tij personale. Pikëpamjet e tij, apo ato të ish zyrtarëve të tjerë, nuk  pasqyrojnë politikën zyrtare amerikane. Ambasadori Arvizu dhe Ambasada Amerikane në Tiranë, dhe deklaratat zyrtare të qeverisë amerikane, pasqyrojnë politikën dhe marrëdhëniet tona me Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një mik i fortë i Shqipërisë dhe një mbështetës i fortë i aspiratës së Shqipërisë dhe shqiptarëve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Shqipëria dhe SHBA janë aleatë së bashku në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO). Ne kemi inkurajuar qeverinë e Shqipërisë që të zbatojë rekomandimet e Bashkimit Evropian, reforma të cilat kërkojnë përpjekje reale dhe të prekshme si dhe angazhimin e opozitës që të pranojë kompromisin politik si pjesë e këtij procesi. Në të njëjtën kohë ne i kemi kërkuar opozitës që të jetë përgjegjëse dhe e përgjegjshme, pasi në një demokraci të pjekur kërkohet pjesëmarrje e plotë, aktive dhe konstruktive në parlament. Ne i bëjmë thirrje dy lidërve politik të qeverisë dhe opozitës, për të gjetur fushat e kompromisit politik. Është koha që liderët politik të bëjnë progres të prekshëm në axhendën e reformave, në mënyrë që Shqipëria të lëvizë më shpejt drejt së ardhmes së saj evropiane”.


...