Gjatë ditës është raportuar se ministri i Financave, Avdullah Hotit, ka kërcënuar menaxhmentin e RTK -së me ndërprerje të financimit. Lidhje me këtë, ministri Hoti përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", ka shkruar një sqarim.

Më poshtë mund të lexoni sqarimin e Hotit:

Sqarim

Ligji për RTK-në (nr.04L/046) është aprovuar në Kuvendin e Kosovës më datë 29.03.2012. Financimi i RTK-së është i rregulluar me nenin 21, pika 4, e cila thotë:

"4. PËR NJË PERIUDHË TRANSITORE, DERI TREVJEÇARE, DERI NË SIGURIMIN E FINANCIMIT NGA PARAPAGIMI, ÇDO VIT RTK-SË I NDAHET ZERO PIKË SHTATË PËRQIND (0.7 %) E TË HYRAVE NGA BUXHETI I KOSOVËS DUKE PËRJASHTUAR TË HYRAT NGA PROCESET E PRIVATIZIMIT, TË HYRAT E NJËHERSHME PËR BUXHETIN E KOSOVËS DHE TË HYRAT VETANAKE TË NIVELIT QENDROR DHE LOKAL."

Kjo periudhë trevjeçare ka mbaruar në muajin prill të vitit 2015.

Në dhjetor të vitit 2014, kur është diskutuar në Kuvendin e Kosovës buxheti për vitin 2015, Komisioni për Buxhet dhe Financa e ka rregulluar bazën ligjore për financim të RTK-së nga prilli 2015 deri në fund të vitit 2015 përmes Ligjit të Buxhetit për 2015. Ky rregullim ligjor ka qenë i nevojshëm pasi ligji për RTK-në nuk ofronte bazë ligjore për financim të RTK-së nga buxheti pas muajit prill 2015. Për vitin 2015, RTK-së i janë ndarë 9.8 milion euro.

Në Ligjin e Buxhetit për 2015, neni 9, pika 2, thuhet:

"2. FINANCIMI I RTK-SË BËHET:

2.1. PËR VITIN FISKAL 2015, RTK-SË I NDAHEN ZERO PIKË SHTATË PËRQIND (0.7%) TË HYRAVE NGA BUXHETI I KOSOVËS, DUKE PËRJASHTUAR TË HYRAT NGA PROCESET E PRIVATIZIMIT, TË HYRAT E NJËHERSHME PËR BUXHETIN E KOSOVËS DHE TË HYRAT VETANAKE TË NIVELIT QENDROR DHE LOKAL.

2.2. PËR PERIUDHËN JANAR-MAJ 2015, KJO NDARJE BËHET NË PËRPUTHJE ME PARAGRAFIN 4. TË NENIT 21 TË LIGJIT NR.04/L-046 PËR RADIOTELEVIZIONIN E KOSOVËS, NDËRSA PËR PERIUDHËN E MBETUR TË VITIT 2015 NDARJA BAZOHET NË KËTË LIGJ."

Procesi buxhetor, sipas ligjit të financave publike, fillon në muajin prill me përgatitjen e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve për tri vitet e ardhshme nga ana e Qeverisë. Korniza e Shpenzimeve për 2016-2018 është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës në muajin maj dhe është diskutuar gjerësisht në Komisionin për Buxhet dhe Financa. Në Kornizë janë përcaktuar kufijtë për të hyrat dhe shpenzimet. Bazuar në ata kufij, Qeveria po punon në përgatitjen e propozim buxhetit për 2016 dhe kufijtë indikativë për 2017 dhe 2018.

Planifikimi i çdo shpenzimi duhet të bazohet vetëm në ligje përkatëse. Pasi nuk ka bazë ligjore për të vazhduar me financimin e RTK-së nga buxheti, ne nuk kemi mundur të parashohim financim për RTK-në. Sidoqoftë, vendimi përfundimtar i mbetet Kuvendit të Kosovës.

P.S. Ky sqarim është vetëm për hir të informimit të drejtë, për ata që duan të informohen drejt. Liria e fjalës sot ka humbur kuptimin, pasi kjo liri po abuzohet.