Austria do të mbështesë Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Garancia është dhënë nga presidenti austriak Heinz Fischer, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.



“Të jeni të bindur se Austria do të mbështesë marrjen e statusit për Shqipërinë”, ka deklaruar Fischer në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun Bujar Nishani. Kreu i shtetit austriak ndër të tjera ka bërë thirrje për forcimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, duke e vënë theksin tek konsolidimi i shtetit ligjor. “I japim mbështetje Shqipërisë në luftën kundër krimit korrupsionit. Të punohet për vendosjen e shtetit ligjor sipas standardeve evropiane”, ka thënë Fischer. Më tej zyrtari i lartë ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, sidomos në fushën e ekonomisë, si dhe rolin e Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit në rajon. Nga ana tjetër, presidenti Nishani përveç vlerësimit të marrëdhënieve ekonomike dhe avancimit të atyre politike, ka vlerësuar mbështetjen e Austrisë në procesin e integrimit. “Austria është mbështetëse e Shqipërisë për arritjen e aspiratave demokratike. Për Shqipërinë nuk ka alternativë tjetër veç integrimit në BE. Ai është një proces me shumë sfida, ku përgjegjësia kryesore është e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Por mbështetja në këtë proces është e pazëvendësueshme”, ka thënë Nishani. Kreu i shtetit shqiptar është shprehur optimist për marrjen e statusit në qershor dhe ka shprehur gjithashtu besimin se përplasjet mes klasës politike në vend do të tejkalohen. / Top Channel