12-02-2014 / Nga Besnik Terziu

SSSA
ASSAlibia e ngjarjeve në Ukrainë që u paraqit për anulimin e vizitës së Stefan Fyles në Tiranë që ishte programuar për në datën 13 shkurt, mund të qetësojë çdokënd tjetër, përveçse Kryeministrin Rama. Duke qenë se pak ditë më patë në vigjilje të kësaj vizite mazhoranca u tërhoq në lidhje me komisionin hetimor mbi ligjshmërinë e emërimeve në policinë e shtetit të kërkuar nga opozita, merret me mend se diçka nuk shkon. Dhe ajo që nuk shkon me anulimin e vizitës së Stefan Fyle është reflektimi që ka filluar në gjirin e partnerëve europianë ndaj qeverisë aktuale. Në thelb Stefan Fyle qëndroi në krah të Ramës në fillimet e qeverisjes, atëherë kur qeveria e re kishte nevojë për të zëvendësuar administratën e kaluar shtetërore me mbështetës të tyre. Fyle mbylli në atë kohë njërin sy pas garancive që kishte dhënë dyshja Rama-Meta në lidhje me ligjin për nëpunësin civil. Kjo dyshe e garantoi Fylen se nuk do të kishte problem me një shtyrje të caktuar kohore dhe se ata kishin votat në Parlament për të miratuar çfarëdolloj ligji në rast nevoje. Është e njëjta logjikë e përdorur me partnerët amerikanë ku vetë Rama garantoi se nuk do të kishte problem me demontimin e armëve kimike në territorin shqiptar. Mirëpo sot pas afro 5 muajsh të qeverisjes socialiste edhe SHBA dhe BE nuk i merr më seriozisht angazhimet e qeveritarëve për shkak të mungesë së theksuar të besueshmërisë dhe përgjegjshmërisë.
Ndaj edhe Fyle ndihet i zënë ngushtë me dekonspirimin që i ka bërë Rama mbështetjes së heshtur apo edhe nëpërmjet deklaratave që Komisioneri për Zgjerim i dha për çështjen e nëpunësit civil. Rama dështoi në mbrojtjen e aktit normativ në Gjykatën Kushtetuese duke e nxjerrë zbuluar edhe Stefan Fylen që ka patur në tavolinën e tij paraprakisht edhe pyetjen që do i bëhej me rastin e anulimit nga Kushtetuesja të aktit normativ të qeverisë Rama për nëpunësin civil. I gjetur përballë një qeverie, e cila nuk mundet të garantojë ligjshmëri dhe seriozitet ndaj angazhimeve, dhe duke qenë se atmosfera politike në vend është e ndezur për shkak të refuzimeve që po i bën mazhoranca respektimit të vendimeve të gjykatave, Fyle nuk ka patur argument për të mbrojtur Ramën. Në këtë situatë një vizitë e tij në Tiranë do të ishte marrja e përgjegjësive për telashet shqiptare ku Rama e ka futur veten. Ndaj edhe gjetja e një formule diplomatike për të shtyrë pa afat vizitën e tij në Tiranë, është zgjidhja e gjetur e Brukselit. Komisioni Evropian duhet të jetë informuar edhe për gjendjen e rendit dhe sigurisë ku policia shqiptare ka humbur kontrollin mbi krimin dhe territorin shqiptar që tashmë gjendet në dorë të zotit. Ndaj në këtë vizitë Fyle nuk ka patur asnjë mundësi të evidentojë ndonjë progres të qeverisë shqiptare. Ai e dinte këtë dhe ‘Jo’-ja e fortë e shteteve të rëndësishme europiane për statusin, kanë detyruar Fylen të braktisë aventurën shqiptare. Vetë Styefan Fyle është tashmë në një pikë të rëndësishme të karrierës së tij pasi kërkon të zëvendësojë baroneshën Ashton në funksionin e saj brenda BE-së. Për të patur një garë pozitive Fyles i duhet reputacion i mirë dhe dakordësi e të gjithë shteteve anëtare të BE-së dhe dalja në krah të Ramës mund të komplikojë edhe më tej situatën e vështirë ku ai ndodhet pas paralajmërimeve të Greqisë dhe Bullgarisë që nuk do votojnë kandidaturën e tij. Të gjitha këto pra dhe gjendja e pashpresë e shërimit të shpejtë të qeverisë shqiptare nga veset e hakmarrjes politike nuk do ishin paraqitja që i duhet në këto momente Stefan Fyles. Ai ka zgjedhur të braktisë Ramën në aventurën e tij të pushtetit.

 


...