Suplementi i diplomave sipas sistemit të Kartës së Bolonjës është premtuar se do të shpërndahet sot në të gjitha universitetet publike në vend. Një deklaratë të tillë ministri i Arsimit, Fatos Beja, e ka bërë jo vetëm në një takim të zhvilluar me të rinjtë që protestonin për modelin e diplomave të tyre, por edhe publikisht në një konferencë për shtyp. "Do të çojmë në universitete suplementin e diplomës, i cili është një dokument dhe një instrument, pjesë e procesit të Bolonjës, ku studenti bashkë me diplomën merr edhe një suplement, që përshkruan të gjitha njohuritë që ky student ka marrë në shkollë", është shprehur Beja. Sipas tij, ky suplement është jashtëzakonisht i dobishëm për punëdhënësin, sepse kupton qartë njohuritë e punëmarrësit. Kreu i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ka treguar se ky suplement i diplomës sipas sistemit të Bolonjës është përgatitur me nxitim brenda një harku kohor njëjavor. Për këtë, ministri Beja ka pranuar se është këshilluar edhe me Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës, për të ecur tërësisht në parametrat e standardeve të Bolonjës dhe Evropës. Suplementi është konsideruar si një arritje, që për Bejën do të thotë "një ecje e përbashkët me të gjitha vendet e tjera të Evropës".



Gjithashtu, po sot është premtuar edhe dërgimi i një udhëzimi të ri në universitete, i cili ka për qëllim sipas drejtuesve të Ministrisë së Arsimit "përmirësimin e diplomave në kuptimin e shmangies të disa elementëve që mund të mos ishin të domosdoshëm, duke respektuar gjithmonë të drejtën e universiteteve, që në një hapësirë të caktuar ata të zgjedhin. Kjo hapësirë ka ekzistuar edhe në udhëzimin e mëparshëm".



Që prej shumë kohësh studentët që kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve të larta 3-vjeçare sipas sistemit të Bolonjës kanë kundërshtuar modelin e diplomave të dorëzuara. Ata kanë kërkuar përcaktimin e titullit në to.