Sulmuesi i talentuar, Kushtrim Lushku, është bashkuar me Mynih 1860. Shqiptari nga Kosova, që gjatë sezonit të kaluar luante me FC Drenicën, ka firmosur kontratë 3-vjeçare (deri në vitin 2012) me skuadrën e Bundesligës II gjermane. "Kushtrimi është një lojtar me potencial mjaft të madh ofensiv", deklaroi trajneri Lienen. Gjatë javëve të fundit, 19-vjeçari kishte zhvilluar testime me "Luanët", në mënyrë që ta bindte stafin teknik për kualitetin e tij. Ai bëhet lojtari i nëntë i afruar nga Mynih 1860 në këtë merkato vere. "Lushku është një futbollist i ri dhe mjaft i talentuar. Kishim mundësi ta merrnim me parametër zero dhe nuk e humbëm rastin. Besojmë se në të ardhme ai do të bëhet një lojtar profesionist. Djaloshi e meritoi kontratën, sepse përpara firmës ai e bindi trajnerin dhe pjesën tjetër të stafit gjatë ditëve të provës", tha drejtori sportiv, Miroslav Steviç.