Mediat amerikane raportojnë se Mit Romni ka fituar në votimet për nominim presidencial republikan në shtetin Ohajo, duke e mundur rivalin e tij, Rik Santorum, me vetëm 1% më tepër të votave.
Prej 10 shteteve në të cilat u votua, Ohajo sjell më së shumti delegatë.
Tashmë Romni ka fituar në Vermont, Virxhinia, Masaçusets dhe Ajdaho, ndërsa Santorum doli fitues në Oklahoma, Tenesi dhe Dakota Veriore.
Kandidati tjetër republikan, Njut Gingriç, ka fituar në shtetin e tij Gjeorgjia.
Në Alaskë ka fituar Mit Romni.
Vlerësohet se Mit Romni nuk arriti fitore bindëse, e cila do ta shtynte atë drejt nominimit republikan për president, për tu ballafaquar me Barak Obamën, në zgjedhjet presidenciale në muajin nëntor.
Në votimet e së ashtuquajturës Super e Martë, kandidatët i ndajnë 419 delegatë, që është afro 40% e numrit të tërësishëm prej 1144 delegatëve, që duhet të fitohen për ta siguruar nominimin.(rel)