Nuk janë të paktë futbollistët nga Afrika, të cilët dëshirojnë që karrierën ta vazhdojnë në Kosovë, derisa lojtarët kosovarë e ëndërrojnë të kundërtën. Rasti i fundit është i nigerianit Parfait Aho, i cili i është ofruar Lirisë. Sipas këtyre të fundit, edhe pse Superliga nuk është cilësore, futbollistët afrikanë vendin tonë e shohin si një pistë ideale për të kaluar nëpër liga të ndryshme evropiane.


Nga Valon Konushevci më 17 shtator 2011 në ora 14:03

Derisa futbollistët kosovarë ëndërrojnë të transferohen nëpër liga të ndryshme evropiane, nuk janë të paktë futbollistët afrikanë që dëshirojnë të aktivizohen në Superligën e Kosovës.



Liria është njëra prej klubeve kosovare, e cila më së shpeshti kontaktohet nga menaxherë të futbollistëve të huaj, të cilët i ‘lusin’ prizrenasit që t’i angazhojnë klientët e tyre. Rasti i fundit është ai i futbollistit nigerian Parfait Aho, i cili i është ofruar Lirisë.



Aho nëpërmjet postës elektronike ka vënë kontakte me bardhezinjtë. Ai ka shprehur gatishmërinë e tij që karrierën ta vazhdojë në Prizren dhe kërkesa e tij tani po shqyrtohet nga bordi i Lirisë.



“Aho na ka kontaktuar dhe ai ka shprehur dëshirën e tij të luajë për Lirinë. Ai na ka dërguar edhe disa pamje filmike gjatë disa ndeshjeve të tij. Kërkesën që e ka bërë nigeriani ia kam paraqitur bordit të klubit, para se t’i vazhdojmë kontaktet”, deklaroi për Express zëdhënësi i Lirisë, Bashkim Kajdomcaj.



Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që futbollistët e huaj i ofrohen Lirisë. Edhe në të kaluarën bardhezinjtë shpesh ishin kontaktuar nga lojtarët e huaj, të cilët duan që karrierën e tyre ta vazhdojnë në qytetin e lashtë.



“Të tilla raste, madje të shumta, kemi shënuar edhe më parë. Ka raste kur vetë futbollistët na ofrohen, por në shumicën e rasteve menaxherë të futbollistëve na kontaktojnë, qoftë nëpërmjet e-mailit, qoftë nëpërmjet telefonit, dhe na bëjnë oferta për futbollistët e tyre. Madje, ata janë të gatshëm që nëpërmjet provave të kërkojnë angazhim në skuadrën tonë”, pohoi Kajdomcaj.



Ai thotë se futbollistët afrikanë e shohin vendin tonë si një pistë ideale për të kaluar nëpër liga të ndryshme evropiane, edhe pse Federata e Futbollit e Kosovës ende nuk është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s, dhe se Superliga nuk është cilësore.



“Shumica e lojtarëve që na u kanë ofruar deri më tani janë afrikanë dhe 95 për qind e tyre janë nga Nigeria. Ata nëpërmjet Kosovës e shohin më të lehtë të depërtojnë në klube evropiane, pasi nga Afrika e kanë shumë problem. Madje, ata janë të gatshëm që edhe me një pagë mujore të luajnë në Kosovë sa për ta provuar fatin për të mbërri në klube të huaja”, theksoi ai.



Por, Kajdomcaj tregoi arsyet, sipas të cilave, Liria heziton t’i angazhojë lojtarët që i ofrohen. “Largësia është arsye kryesore, por edhe kriza financiare, edhe pse realisht ndoshta ata janë më të lirë sesa futbollistët tanë kosovarë dhe kanë kualitet. Ata nuk kërkojnë para për gjithë vitin siç bëjnë shumë futbollistë kosovarë, por ata kërkojnë vetëm një pagë mujore”, shprehet ai.



Në futbollin kosovar që nga përfundimi i luftës janë aktivizuar dhe aktivizohen futbollistë afrikanë, madje vetë Liria sezonin e kaluar në radhës e saj kishte dy futbollistë nigerianë.