ekrem spahiaNga Arbi Fortuzi

Ekrem Spahia, është emëruar gjatë ditës së hënë, në zyrën e drejtorit të përgjithshëm të klubit të Kukësit. Një lajm mjaft pozitiv për ambientin verilindor, që në këtë mënyrë në organet drejtuese do të ketë një person që njeh mjaft mirë jo vetëm çështjet e administrimit, por edhe presionin publik që mund të ketë klubi në fjalë dhe sporti i futbollit në tërësi. Spahia ishte i pranishëm në stërvitjen e parë të ekipit nën-kampion, i shoqëruar nga drejtori teknik, Hasan Lika dhe trajneri Klodian Duro. Në daljen e tij të parë, ai prezantoi, konfirmoi objektivat afatshkurtër të klubit, teksa la të kuptohet se projekti i Presidentit Safet Gjici është shumëvjeçar dhe synon krijimin e një klubi model. Në ditën e parë të punës së tij, Spahia, ish-Zëvendësministër i Kulturës dhe Sportit dhe kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit, u njoh më nga afër me strukturat e klubit, njohu lojtarët dhe diskutoi gjatë me stafin teknik të skuadrës. "Sigurisht që investimet e presidentit Gjici janë për ta institucionalizuar gjithë veprimtarinë sportive të Kukësit dhe jo thjesht për ekipin e parë. Ne po mendojmë për të ardhmen e këtij klubi, sepse duam të jetë një klub serioz dhe me një perspektivë afatmesme dhe rentabël".

Ai ceku gjithashtu dhe problematikat normale të një klubi me pronësi sa shtetërore ashtu edhe private, pasi dihet tashmë marrëdhënia e tensionuar mes bashkisë dhe presidentit Gjici. "Sporti është një mundësi e madhe për të bashkuar dhe jo për të ndarë dhe emërimi im do t'i shërbejë normalizimit të çdo marrëdhënieje institucionale. Jam i bindur se kryebashkiaku do të ketë mirësinë maksimale për të kontribuar në rritjen e Kukësit", -tha Spahia, duke i kaluar topin Bashkisë së qytetit verilindor në këtë rast. Në aspektin sportiv, Spahia u shpreh se do të ketë një ristrukturim të pozicioneve në klub, me qëllim që çdo person që shërben për skuadrën, të japë dhe të marrë maksimumin. "Po njihem me të gjithë problematikën, por ka shumë pak mangësi. Vështrimin e kemi hedhur për mbylljen me sukses të këtij sezoni. Synojmë që të sigurojmë një trofe dhe minimalisht të jemi pjesëmarrës në Kupat e Europës. Kemi gjithë kompetencën e plotë për të ndërhyrë në aspektet që nuk do të funksionojnë. Nuk kam vërejtje në drejtim të stafit teknik. Është një fat i madh për Klodian Duron, që ka në krah një emër të madh si Hasan Lika. Besoj se kthesa e Kukësit do të jetë e dukshme që në dy ndeshjet e ardhshme", -tha Spahia, duke u treguar optimist për vijueshmërinë e sezonit te Kukësi. Kujtojmë se Ekrem Spahia, katër vite më parë bëri një deklaratë kundër komunitetit Gay në Shqipëri. Asokohe, kryetar i Lëvizjes për Legalitet, Spahia u bë pjesë e një debati politik dhe diplomatik për çështjen e komunitetit Gay. Prej, asaj kohe prezenca e tij në publik ka qenë gjithnjë e më e vogël, duke u përjashtuar edhe nga partia. Dje, ai merr një detyrë mjaft të rëndësishme, duke iu rikthyer edhe jetës publike.