Një tjetër kredi problematike në shumën marramendëse 110 milionë euro rezulton të jetë marrë në emër të një prej kompanive të Rezart Taçit. Një burim pranë tij i ka shkruar sot një e-mail gazetës Tema, ku përshkruan konfuzionin në zyrat e kompanisë pas urdhrit të sekuestros dhe problemet me kredinë e marrë në Hollandë.


Sipas letrës, Taçi ka lënë si kolateral stokun e naftës dhe e ka siguruar kredinë pranë një banke greke në Tiranë në vlerën 170 milion euro.


Në letër ka plot detaje për borxhet dhe radhën e sekuestrove ndaj kompanisë, por të konfirmuara janë sekuestroja nga Albpetroli dhe borxhi ndaj tatimeve, të cilat kanë miliona euro pa marrë. Zyrtarisht borxhi i ARMO ndaj Albpetrolit, vitin që shkoi ishte 40 milionë euro.