Qëndrimi
MASH po përgatit ligjin e ri për këtë çështje, që krijon bazën e financimit të formimit profesional

Arsimi profesional do të shndërrohet shumë shpejt në një biznes privat në fushën e edukimit. Ministria e Arsimit është shndërruar edhe në nxitësen kryesore të idesë së ngritjes së shkollave profesionale private, sikundër ka ndodhur me të gjithë pjesën tjetër të sistemit arsimor. Madje kjo ministri është duke përgatitur edhe një ligj të posaçëm për shkollat profesionale. Në tryezën e rrumbullakët, “Përmirësimi i Arsimit dhe Formimit Profesional përmes Partneritetit Social dhe Përfshirjes së Biznesit”, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, theksoi se arsimi profesional, duke qenë se është i kushtueshëm, duhet që të nxitet me shpejtësi arsimi profesional privat. “Ne nuk mund të lejojmë që një 16-vjeçar të paguajë për t’u përgatitur për tregun e punës si punëtor i kualifikuar. Në këtë rast, shteti dhe biznesi duhet t’i mbështesin të rinjtë në rrugën e tyre”, u shpreh ministri Tafaj. MASH është duke përgatitur ligjin e ri të arsimit profesional, për të krijuar një bazë të re të financimit dhe formimit profesional, objektivi i të cilit është që sektori privat dhe partnerët privatë duhet të kenë akses të plotë në vendimmarrje dhe implementim. Tafaj theksoi se arsimi dhe formimi profesional përbëjnë prioritetin dhe sfidën më kryesore në të gjithë fushën e arsimit, për shkak se tashmë është plotësisht e vërtetuar nga të gjitha studimet dhe eksperiencat, dhe në mënyrë të veçantë nga progresi i vendeve më të zhvilluara të botës, që një ekonomie tregu të lirë mund t’i paraprihet vetëm me njerëz të shkolluar mirë. “Në këtë këndvështrim, arsimi profesional është rruga më e mirë jo vetëm për të rritur nivelin e punësimit, por mbi të gjitha për t’i ofruar shanse brezit të ri dhe për t’i paraprirë zhvillimit të shpejtë të ekonomisë në vendin tonë”, tha Tafaj. “Arsimi profesional nuk mund të zhvillohet pa njohur interesat e tregut të punës, interesat e sektorit privat dhe pa bashkëpunuar me to e pa u dhënë atyre aksesin e nevojshëm për të vepruar në nivelin e vendimmarrjes dhe implementimit”, vijoi Tafaj. Sipas tij, shkollat profesionale duhen konceptuar në radhë të parë si qendra multifunksionale, që ofrojnë shumë profile studimesh me kohëzgjatje dhe kualifikime të shumëllojshme jo vetëm për të rinjtë, por edhe për të rriturit që kanë nevojë të rishkollohen për t’u ripozicionuar në tregun e punës.








#