Bojkotit të studentëve të Gjuhëve të Huaja dhe Histori Filologjisë u është bashkuar dje dhe Infermieria. Për disa orë radhazi, ata kanë vijuar protestën para Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar ndryshimin e përmbajtjes së diplomës. Ata janë të vendosur të mos tërhiqen në qëndrimin e tyre, për aq kohë sa ministria nuk do të ndryshojë vendim. Në mungesë të zgjidhjes, studentët kërcënojnë me greve urie. Ndërkaq këshilltari i kryeministrit për arsimin, Myqerem Tafaj, deklaroi dje se është suplementi i diplomave ai që u jep atyre vlerën më të madhe. ”Vlera e diplomës universitare të një studenti identifikohet nga suplementi që e shoqëron, pasi kjo shtojcë hartohet n¸ përputhje me kërkesat e hapësirës evropiane t¸ Arsimit t¸ Lartë”, tha Tafaj. Sipas tij, është ky dokument që përshkruan në veçanti, natyrën, nivelin, përmbajtjen, rezultatet e studimeve, që janë kryer dhe përfunduar me sukses nga mbajtësi i diplomës. “Duhet kuptuar që Diplomat e Nivelit te Parë janë diploma që lëshohen pas përfundimit të studimeve universitare të nivelit të parë, e barazvlefshme me gradën shkencore të parë universitare ‘Bachelor’. Pra kjo diplomë duhet konsideruar si një diplomë me vlerë të plotë, për të kërkuar punë në fushën ku ka studiuar studenti”, nënvizoi këshilltari i kryeministrit. Por ai shtoi se  diploma e nivelit të dytë, që përmbyll sistemin 3+2 të Bolonjës  është më e dëshiruara, sepse pasqyron edhe një nga qëllimet kryesore të sistemit të ri të studimeve, të ndërtuar në disa cikle, fleksibilitetin. ”Më thjesht nga një Bachelor të krijohet hapësira reale për të vijuar studimet e nivelit të dytë në një drejtim tjetër”, u shpreh Tafaj. Por ai nuk la pa theksuar se diplomat janë aq cilësore, sa i njohur dhe i besueshëm është universiteti dhe profesorati i tij, pasi në bazë të ligjit të Arsimit të Lartë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës mund të përcaktojë vetëm kritere minimale për diplomën dhe suplementin e saj. Sa i përket pretendimit të studentëve për titullin dhe përmbajtjen MASH ka sqaruar se në bazë të ligjit shqiptar, por edhe marrëveshjes së Bolonjës, emërtimi i diplomës universitare përmban nivelin dhe fushën e studimit të kryer dhe jo titull profesional.

Profesorët e huaj

Plot 20 profesorë të huaj nga Italia, Anglia dhe Danimarka do të japin mësim në degët e mësuesisë në Universitetin e Tiranës. Gjithçka, si pjesë e një projekti 2-vjeçar të Programit “Tempus”, financuar nga Bashkimi Evropian. Ky projekt u prezantua dje në Rektoratin e Universitetit të Tiranës. Ai kap një vlerë prej 805 mijë eurosh.