Instituti i Historisë dhe Biblioteka Kombëtare në Tiranë organizojnë një takim me studiuesen e njohur të historisë së Bizantit dhe lashtësisë së vonë në Universitetin e Oksfordit, prof. Averil Kameron. Kameron më 2006-n ka marrë titullin “Dame Commander of the Order of the British Empire”, që është një nderim i madh për personalitetet e shquara të shkencës në Angli.

Ajo do të mbajë një leksion për të pranishmit. Sipas prof. Kameron, Bizanti zë një vend të paqartë në historinë europiane. Megjithëse shpesh është interpretuar gabimisht si një pasardhës i zhdukur i botës klasike, Bizanti bën pjesë në rrymën qendrore të historisë së Europës dhe të Mesdheut. Ndikimi i tij ndihet ende kudo, në Ballkan, në Europën Lindore dhe në Lindjen e Mesme. Ky libër e njeh lexuesin me historinë komplekse, karakterin etnik dhe identitetin e Perandorisë Bizantine. Bota bizantine gjendej edhe aty ku takohej Islami i hershëm dhe Krishtërimi dhe bizantët patën të bënin dhe jetuan pranë myslimanëve, nga arabët në shek. VII deri te turqit në shek. XV. Bota pluraliste e Bizantit të vonë ishte shumë ndryshe nga ajo e Perandorisë Romake Lindore në shek. IV P.K., kur u themelua Kostandinopoja. Po kështu, bota rreth saj ndryshoi në mënyrë dramatike gjatë kësaj kohe, identiteti bizantin ishte ende i fortë dhe i dallueshëm njëkohësisht. Tensioni mes ndryshimit dhe vazhdimësisë në shoqërinë bizantine është një nga temat themelore të shqyrtuara në librin që Kameron do të prezantojë. Libri i Averil Cameron-it, “Bizantinët”, shënon një sukses në portretizimin dhe karakterizimin e qytetërimit bizantin. Libri fokusohet drejtpërsëdrejti te popujt e Perandorisë Bizantine, te pikëpamjet e kulturën e tyre dhe në mënyrën se si këta ndryshuan me kalimin e kohës. Rezultati është një vështrim i spikatur e i qartë për atë çka ishin bizantinët. Libri jep një ndihmesë kuptimplotë për restaurimin e Bizantit, për vendin e tij mëse të drejtë në qendër të traditës historike të Europës. Sipas organizatorëve, pikërisht për arsyen se Kameron është një studiuese autentike dhe e nivelit të lartë për çështjet e bizantologjisë, leksioni i saj dhe bashkëbisedimi me të do të jetë një rast i papërsëritshëm për specialistët dhe të pasionuarit e historisë që të mësojnë më shumë për këtë periudhë dhe historinë e trojeve shqiptare gjatë saj.





7 Janar 2009