Pas deklaratave të diskutueshme të presidentit afgan, Hamid Karzai, qeveria amerikane nuk e përjashton mundësinë e mosrealizimit të një takimi mes presidentit amerikan, Barack Obama dhe atij afgan, Hamid Karzai.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs, është shprehur, se në rast se Karzai vazhdon me kritikat e tij ndaj partnerëve perëndimorë, do të merret në shqyrtim nëse një takim i tillë do të ishte konstruktiv. Seria e fundit e deklaratave kritike të Karzait është shqetësuese dhe irrituese, sipas zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë. Sipas një raportimi të gazetës amerikane, "New York Times", Karzai kishte kërcënuar se do të bashkohej me talebanët, nëse forcat e huaja rregullisht do të vazhdonin ta kritikonin. Presidenti afgan kishte pretenduar se pas manipulimeve në zgjedhjet e fundit presidenciale fshiheshin të huajt. Vizita e Karzait në Uashington është e parashikuar në 12 maj. Por pas publikimit të këtij lajmi nga gazeta "New York Times", ka reaguar vetë presidenti afgan Hamid Karzai. Karzai i ka cilësuar këto spekullime si sajesa të pabaza dhe ai si president i Afganistanit nuk do të bashkëpunonte kurrë me vrasësit e popullit të tij.