Muaji nëntor ka rezultuar me një bilanc tejet negativ për tatim-taksat në Rrethin e Bulqizës, ku shifrat e realizimit kapin vetëm 63% të planit. Ndërkohë, panorama e realizimeve për tatimorët e këtij rrethi është mjaft problematike, kur mëson se edhe shifrat e realizimit të planit si 11-mujor janë në nivele të ulëta, pasi në total kapin 71% të planit. Shifrat janë pohuar nga sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës Dibër, Hajri Begu, në një mbledhje me drejtuesit e institucioneve qendrore në nivel vendor, zhvilluar në mjediset e institucionit të nënprefektit të Bulqizës. Në këtë mbledhje u diskutua realizimi i detyrave të programuara për muajin nëntor dhe 11-mujorin e këtij viti. Ajo që ka ndikuar në mosrealizimin e planit nga tatim-taksat, sipas numrit 2 të Prefekturës Dibër, Hajri Begu, lidhet me nivelin tepër të ulët të realizimit të taksës nacionale, e cila për nëntorin është realizuar vetëm 26%. Por edhe pse analizohej mosrealizimi i të ardhurave të planit nga ana e tatimorëve, drejtori i Tatim-taksave, apo një zyrtar tjetër i caktuar prej tij i kësaj drejtorie, nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e organizuar nga institucioni i prefektit të Dibrës. Kështu, në këtë mbledhje tepër të rëndësishme, organizuar në fund të vitit, e cila lidhej me realizimin e planit nga drejtoritë dhe institucionet vendore në Rrethin e Bulqizës, munguan edhe drejtues të tjerë të këtyre institucioneve si ndërmarrja e rrugëve rurale, spitalit, pyjeve buxhetit etj.

Hy.Li.