16/02/2010 Sektori privat dhe ai shtetëror i arsimit nuk do të paguajë TVSH-në. Tashmë ka hyrë në fuqi ligji i ri, i cili parashikon forcim të rregullave për bizneset që çregjistrohen nga TVSH-ja dhe heqjen e tatimit në fjalë për sektorin e arsimit. Sipas këtij ligji, duke filluar nga 1 tetori i këtij viti, arsimi privat do të përjashtohet nga kjo taksë. Vendimi për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, në arsim dhe shëndetësi ka krijuar debate brenda qeverisë. Ministria e Financave kishte propozuar fillimisht përgjysmimin e TVSH-së për bizneset që ofrojnë produkte dhe shërbime në fushën e arsimit dhe shëndetësisë nga 20 në 10 për qind. Por ky variant i mbështetur nga ministri i Financave, Ridvan Bode, nuk u pranua nga qeveria, pasi Kryeministri Berisha kërkoi që TVSH-ja në këta dy sektorë të hiqet përfundimisht. Propozimi i Kryeministrit Sali Berisha, për heqjen e TVSH-së për arsimin privat ngjalli debate mes tij dhe ministrit të Financave, Bode, në një nga mbledhjet e qeverisë. Në tre vitet e fundit është shtuar ndjeshëm numri i institucioneve arsimore private për të gjitha ciklet. Vetëm për arsimin e lartë sot kemi të licencuara 33 universitete. Nga kjo reformë fiskale në TVSH, buxhetit të shtetit do t’i mungojnë këtë vit rreth 300 milionë lekë.