Mesfushori alarmon stafin kuqezi, pak javë para Europianit


Taulant XhakaLajme aspak të mira për kombëtaren shqiptare kanë ardhur dje nga Zvicra. Klubi i Bazelit ka bërë të ditur se mesfushori Taulant Xhaka, pas dëmtimit në kofshë të pësuar në fundjavë në kampionat, ka mbyllur para kohe sezonin dhe do të duhet të qëndrojë të paktën një muaj pushim, duke rrezikuar seriozisht pjesëmarrjen në Euro 2016.


Xhaka u largua nga fusha e lojës që në minutën e 20 të ndeshjes kundër Sionit, pas të cilës Bazeli festoi titullin e 7 kampion radhazi në Zvicër. Xhaka u shfaq i qetë në festimet e titullit menjëherë pas ndeshjes, duke lënë të mendohej se dëmtimi i tij nuk kishte qenë shqetësues. Por pas kontrolleve më të hollësishme të zhvilluara gjatë ditës së djeshme, ka rezultuar se Xhaka ka pësuar një këputje muskulore në kofshën e majtë. Klubi ka njoftuar zyrtarisht dje, se për një dëmtim të tillë duheshin disa javë pushim, duke mbyllur para kohe sezonin e mesfushorit shqiptar në kampionatin zviceran.


Një lajm i tillë e ka alarmuar jo pak stafin e kombëtares shqiptare të futbollit, ku Xhaka është një titullar i padiskutueshëm. Parashikohet që mesfushori të qëndrojë një muaj pushim, por në këtë mënyrë do të humbasë një pjesë të madhe të fazës përgatitore për Euro 2016, si dhe nuk do të jetë në gjendje të luajë as në miqësoret e planifikuara ndaj Katarit dhe Ukrainës. Sipas planit të riaftësimit, parashikohet që ai të jetë në gjendje optimale që për ndeshjen e parë të Europianit kundër Zvicrës. Por, gjithsesi, trajneri De Biazi nuk do të jetë i kënaqur që një prej futbollistëve të paktë që mund të cilësohen titullarë të paprekshëm, do të shkojë drejt ndeshjes së debutimit duke mos zhvilluar asnjë ndeshje futbolli për më shumë se një muaj. Xhaka ka luajtur 11 ndeshje me fanellën e kombëtares shqiptare që nga momenti i debutimit, në shtatorin e vitit 2014. Ai ka luajtur si titullar në të gjitha ndeshjet kualifikuese të Euro 2016, ndërsa që tani 25-vjeçari cilësohet si një prej liderëve të ekipit kuqezi.