aleksander kocaniALEKSANDËR KOCANI

I deja për të shkruar këtë ar tikull më lindi si refleksion nga pjesëmarrja në një panel diskutimi "Mbi Islamin, kombin dhe besimin", të organizuar mjaft mirë nga Universiteti Europian i Tiranës në kuadrin e nismës së lavdërueshme universitare të zhvillimit të ditëve të studimeve shqiptare (I vetmi sugjerim përmirësimi për të do të ishte që të shtohej koha për debatet!).

Në këtë panel një studiues i pavarur (në kuptimin që nuk i përkiste një institucioni të Arsimit të Lartë) paraqiti të dhënat e një studimi të kryer nga IDM (Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim) lidhur me shfaqjet e radikalizmit fetar dhe ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri. Nga debatet dhe paraqitja e bërë në panel për këtë studim, më lindën shumë pikëpyetje lidhur me besueshmërinë e përfundimeve që ai ofronte.



Së pari, më bëri përshtypje që paraqitja e rezultateve të studimit ishte bazuar kryesisht në teknikat e statistikës deskriptive (përshkruese), të tilla si grafikë dhe tabela me përqindje të vlerave të variablave në shqyrtim. Më tej vijonte me komente dhe interpretime të përqindjeve të dhëna grafikisht ose me tabelë. Dhe këto komente e interpretime kaloheshin "si me lezet" të mirëqena, si të thuash, si përfundime të natyrshme që dalin nga paraqitjet grafike e tabelore.

Mirëpo, në fakt, pikërisht këto komente dhe interpretime, që mund të kenë edhe trajtën shkencore të supozimeve bazë ose të hipotezave, lypset që të diskutohen, të mbështeten me argumente që të mund të pranohen nga bashkësia përkatëse shkencore, gjë që nuk u bë në këtë paraqitje! Konsiderimi i tyre si të mirëqena shpesh vjen nga një mbartje e pavetëdijshme iluzore e legjitimitetit (edhe ky shpesh iluzor!) të të dhënave të paraqitura grafikisht, ose me tabela.

Vetë këto të dhëna kanë nevojë që të mbështeten me argumente që të mund të pranohen si të besueshme dhe të vlefshme! Pra, lypset që të tregohet se rruga e ndjekur për fitimin e tyre është korrekte nga pikëpamja e metodologjisë shkencore. Domethënë, janë "hallka" e fundit e një zinxhiri etapash që derivojnë logjikisht nga njëra-tjetra dhe që kanë si objektiv që t'i përgjigjen pyetjes kërkimore, e cila i ka hapur rrugën studimit në fjalë!

Mirëpo, nëse ndiqet ky "zinxhir" etapash të lidhura logjikisht, atëherë nuk do të mbërrihet si finale në paraqitje grafike dhe/ose tabelore. Përfundimi i një ecurie të tillë metodologjike shkencore është paraqitja e instrumenteve statistikore (tabela të kryqëzuara, tabela korrelacioni etj.) që dëshmojnë ose jo për shoqërimin statistikor domethënës të mundshëm midis variablave të përfshira në supozimet bazë apo hipotezat.

Thjesht do të kemi konstatimin ose jo empirik të qenies së shoqërimeve në fjalë, të cilat përbëjnë parashikime të nxjerra teorikisht. Dhe ky konstatim ose jo përbën vetë testin apo kontrollin empirik të supozimeve apo hipotezave, mbi të cilat është ngritur studimi.

Kështu që një paraqitje serioze e një studimi nuk mund të bazohet në të dhënat e nxjerra me anë të instrumenteve të statistikës përshkruese (deskriptive), por mbi ato që nxirren me ndihmën e instrumenteve të të ashtuquajturës statistikë inferenciale, të cilat synojnë testimin statistikor të supozimeve apo hipotezave të studimit.

Shkenca nuk synon përshkrimin e thjeshtë, por testimin e thënieve që parashtrohen si përgjigje ndaj pyetjeve kërkimore që ngrihen në proceset e kërkimit. Kjo është arsyeja se përse studiuesit konsiderojnë seriozisht vetëm rezultate të studimeve që kanë kaluar paraprakisht me sukses teste rigoroze dhe jo hamendësime e interpretime subjektive të të dhënave përshkrimore të paraqitura grafikisht apo me tabela.

Janë sprovat empirike ato argumente që i bindin studiuesit të pranojnë rezultatet e një studimi dhe jo "shfaqjet" me grafikë dhe tabela përshkruese të dhënash!

* * *

I kërkoj ndjesë lexuesit të nderuar, që nuk është i familjarizuar me këtë "gjuhë shkencore", për terminologjinë e artikullit që nuk haset në gjuhën e përditshme, por përdorimi i saj lejon që të nxirret më mirë në pah shqetësimi lidhur me kuptimin se si duhet realizuar një kërkim në nivel shkencor dhe jo në atë parashkencor që karakterizonte periudhën pozitiviste të zhvillimit të mendimit shkencor.

Kjo sepse dihet se sa rol të rëndësishëm luan shkenca në nxitjen e zhvillimit të një vendi! Për dijeni pozitivizmi në shkencë lindi në një kohë kur në të sundonte pikëpamja që u jepte përparësi arsyetimeve që nuk mbështeteshin në përvojën empirike. Dhe ai, si reaksion kundër arsyetimeve të pabazuara në të dhëna empirike, përbënte një mbitheksim të të dhënave empirike, duke e minimizuar rolin e mendimit teorik.

Në këtë kuadër, fjala vjen, më shumë rëndësi u jepet paraqitjeve të të dhënave empirike (me grafikë, tabela, përqindje etj.) që nxirren drejtpërdrejt nga vëzhgimi ose eksperimenti, sesa interpretimit e shpjegimit të tyre me skema teorike (supozime, hipoteza dhe modele). Pra, këtë qasje, që nuk i vë shumë rëndësi kontrollit apo testimit të këtyre interpretimeve e shpjegimeve, duke i nënkuptuar ato si të mirëqena, e kemi "peshqesh" nga filozofia që zuri fill në fillim të viteve 1800 nga August Comte, ndonëse tashmë ajo ka kohë që i ka shteruar "nxitjet" pozitive ndaj zhvillimit të shkencës!

Me qasjet përshkruese nuk zgjidhet asnjë problem shkencor dhe, për rrjedhojë, nuk ka se si shkenca që bazohet në to t'u japë impulse nxitëse zhvillimit të ekonomisë, kulturës, arsimit etj. Për fat të mirë, aktualisht në shkencë "sundon" një qasje që i jep rolin që i takon si empirikes (të dhënave nga vëzhgimet e eksperimentet), ashtu edhe teorikes (arsyes), pa mbivlerë- suar e nënvlerësuar asnjërën prej tyre!

* * *

Në paraqitjen e rezultateve të studimit të IDM më bënë përshtypje edhe dy gjëra të tjera. Njëra ishte shifra prej 26% e të anketuarve që mbështetnin idenë e rebelimit ndaj shtetit, nëse kjo ishte e nevojshme. Kurse tjetra ishte vetëm dhënia e tre grupeve të faktorëve që supozoheshin si shkaqe të mundshme të shfaqjeve të radikalizmit dhe të dhunës ekstreme, pa theksuar nëse studimi në fund i konfirmonte ose jo ato si shkaqe. Le të marrim fillimisht 26% në fjalë.

Besueshmëria e saj mund të kontrollohet me faktorë të brendshëm dhe të jashtëm kundrejt studimit. Besueshmëria e brendshme lidhet me arritjen e të njëjtave rezultate nëse bëhet studimi nga studiues të tjerë. Kjo ribërje do të synonte të njëjtat objektiva, por jo detyrimisht me të njëjtën rrugë që ndoqën studiuesit e IDM.

Nëse bazohesh në të dhënat mbi metodologjinë e përdorur (metodat, kampionimi etj.) që jepen në faqen e IDM, del se lindin disa pikëpyetje të rëndësishme. Së pari, aty del se nuk kemi kampionim të përzgjedhur me kritere rastësore që në hapin e parë: në përcaktimin e zonave ku do të ishte popullata në studim. Ekipi studimor ka caktuar vetë 4 zona mbi bazën e të dhënave paraprake (nga institucionet shtetërore të specializuara) dhe me këtë veprim i ka hequr çdo legjitimim konsiderimit se të dhënat e këtij studimi mund të përfaqësonin tërë vendin!

Pra, e shumta, kemi një studim rasti (që duhej theksuar për të shmangur abuzimet me shkallën e përgjithësimit të tyre) dhe nuk ka baza që të dhënat të përgjithësohen në rang vendi! Kjo sepse një kampionim i tillë nuk është i tipit probabilistik, që është i vetmi që të lejon shtrirjen apo përgjithësimin e rezultateve të nxjerra nga një kampionim të ndërtuar mbi parime të zgjedhjes së rastit (me tabelë të numrave të rastit!) në mbarë popullatën në studim.

* * *

Më tej ekipi studimor ka vendosur të caktojë (jo të përzgjedhë në mënyrë rastësore!) edhe 4 zona të tjera, për të cilat nuk ka të dhëna karakteristike për radikalizmin dhe dhunën ekstreme (si njëfarë grupi kontrolli ndaj 4 zonave të para). Ky caktim i 8 zonave të kampionimit nga ekipi studimor i jep qasjes së përdorur në studim një karakter të theksuar cilësor krahasues.

Nëse 8 zonat në fjalë do të kishin dalë nga një proces përzgjedhjeje të tipit rastësor (zgjedhje e rastit ose sistematike mbi bazën e tabelës së numrave të rastit), atëherë ne do të kishim rastin e një kampionimi shkencor me bistakë (cluster) dhe, rrjedhimisht, përfundimet e nxjerra në mënyrë korrekte nga ky studim do të mund të shtriheshin në mbarë vendin (me një gabim statistikor relativisht jo të madh, por të panjohur teorikisht).

Pra, do të mund të flitej për shkallë të caktuar të shfaqjes së radikalizmit dhe të dhunës ekstreme në mbarë shoqërinë shqiptare.

* * *

Nga ana tjetër, mënyra se si është strukturuar kampionimi brenda këtyre 8 zonave, madje nuk lejon që të flitet për një shkallë të caktuar të radikalizmit dhe dhunës ekstreme, as edhe në bashkësinë e tyre! Kjo sepse 800 pyetësorët e përdorur janë ndarë në dy grupe të barabartë: 400 për banorë pa specifikim besimi fetar dhe 400 vetëm për banorë të pretenduar se janë besimtarë myslimanë.

Këtu kemi të bëjmë thjesht me një kampionim tip kuote (jo probabilistike), që nuk të lejon të bësh tjetër veçse një krahasim pothuajse cilë- sor midis dy grupeve. Ndryshe do të ishte puna, nëse ndarja do të ishte bërë bazuar në strate të peshuara. Në këtë rast të fundit, rezultatet e anketimit mbasi të ishin "peshuar" me koeficientin përkatës të peshimit, do të mund të shtriheshin (apo përfaqësonin) si përgjithësim për tërë popullatën e 8 zonave.

Kështu që pretendimi se 26% e personave të anketuar janë për opsionin e rebelimit ndaj shtetit kur kjo është e nevojshme, nuk ka baza statistikore për t'u pranuar, sepse nuk është nxjerrë duke ndjekur një procedurë shkencore të matjes! Le të marrim tani besueshmërinë e jashtme. Kjo kërkon që rezultatet e një kërkimi të jenë të pajtueshme me rezultatet e studimeve të tjera që përfshijnë matjen e variablit, besueshmëria e të cilit kërkohet.

Studime të tilla mund të ishin ato mbi sistemin vleror të një shoqërie, sepse ato përfshijnë edhe matjen e variablave që karakterizojnë shkallën e aktivizmit qytetar (nënshkrim peticionesh, pjesëmarrjen në greva spontane dhe në rebelime ndaj shtetit etj.).

Në vendin tonë janë bërë disa studime të kësaj natyre. Kështu, në Departamentin e Shkencave Politike të Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, disponohen të dhëna nga anketime të tilla në rang vendi dy (1998 dhe 2004) dhe në rang qyteti të Tiranës mbi 10. Nga të dhënat e këtyre anketave del se pyetjes nëse do të rrëmbenin armët dhe do të rebeloheshin ndaj shtetit në anketën e vitit 1998 i përgjigjen pozitivisht ("tashmë e kam bërë" dhe "do ta bëja") 6.7% e të intervistuarve në rang vendi.

Të njëjtës pyetje në anketimin e vitit 2003 i përgjigjen pozitivisht 10.2%, kurse në anketimin e vitit 2008, pozitivisht i përgjigjen 8% e të intervistuarve në rang qyteti të Tiranës. Më tej kemi përgjigje pozitive në masën e 6.4% nga të intervistuarit e qytetit të Tiranës në vitin 2010, 9% nga ata të po këtij qyteti më 2012 dhe 13.8% nga të intervistuarit në Tiranë më 2014.

Shihet se gatishmëria për rrëmbim armësh dhe rebelim ndaj shtetit në periudhën nga 1998 deri më 2014 varion nga afro 7% në afro 14% të të intervistuarve. Meqenëse këto anketime kanë përdorur kampionime të tipit probabilistik, këto përfundime mund të shtrihen në popullatat përkatëse me një gabim afërsisht 3.4% për anketimin në rang vendi.

Kurse për qytetin e Tiranës, po të konsiderohet kampionimi i saj si bistak në rang vendi (Tirana përfaqëson afro 1/3 e votuesve në rang vendi), me të dhënat paraprake të eksperimenteve për matjen e gabimit që fut kampionimi i tipit bistak (cluster), afërsisht gabimi i "përfaqësimit" të elektoratit në rang vendi nga elektorati në rang qyteti të Tiranës është i rendit të 5-6 %. Kështu që marzhi ku ndodhen vlerat e kësaj gatishmërie për rebelim ndaj shtetit lëvizin nga (3.3%, 10%) për anketimin e vitit 1998, në (9.5%, 19%) për atë të vitit 2014.

* * *

Me që për 2015 dhe 2016 nuk janë bërë matje për këtë gatishmëri, po sjellim të dhë- na që paraqesin shkallën e legjimitetit/deligjimitetit që i jep elektorati i qytetit të Tiranës pushtetit, të siguruara me anketime në vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016. Nëse kemi të dhëna që flasin më dukshëm në favor të deligjimitetit, atëherë kemi një dëshmi indirekte se elektorati në fjalë është i gatshëm për ndryshim të pushtetit, qoftë edhe me veprime të dhunshme.

Për të matur këtë shkallë të legjimitetit/deligjimitetit, është përdorur i ashtuquajturi "Indikator i mirëqenies subjektiv" i dhënë nga Ronald Inglehart, një nga korifenjtë e studimeve vlerore në mbarë botën. Vlerat e këtij indikatori (IMS) që, si të thuash, shprehin "humorin" e elektoratit, kur janë relativisht të ulëta, por pozitive (nën 5- 6%) flasin për gjasë të dëshirës së tij për rotacion të pushtetit. Kur këto vlera janë nën zero, sa më shumë të jetë përqindja, aq më e mundshme është të supozohet se elektorati është i gatshëm ta përmbysë pushtetin me dhunë (në vitin 1998 vlera e IMS ishte mbi - 2%).

Kështu, për vitin 2013 (prill), anketimi në qytetin e Tiranës jep për IMS vlerën e + 2.6%, që është tregues i dukshëm për një rotacion të pushtetit (që dhe ndodhi në qershor të atij viti!). Kurse në vitin 2014 (prill), anketimi po për atë qytet jep vlerën e afro + 53% për IMS, që flet për legjitimim të pushtetit nga elektorati. Kurse anketimi i vitit 2015, jep për IMS vlerën e afro + 15% që flet për ulje të legjitimitetit që i jepet pushtetit, por jo deri në shkallën që të ketë rotacion politik.

Anketimi i 20 prillit të 2016-s sjell për IMS vlerën e afro + 59%, që qoftë edhe me disa rezerva (për nga madhësia e kampionimit), prapëseprapë flet për rritje të legjitimitetit që i jep elektorati i Tiranës pushtetit. Pra, as që bëhet fjalë për një "humor negativ" të elektoratit të Tiranës që do të fliste për njëfarë gatishmërie të tij për ta përmbysur me dhunë pushtetin.

Dhe po e konsideruam Tiranën si kampionim bistak në rang vendi, vlera më e ulët e këtij indikatori do të ishte gjithsesi afro + 50%. Kështu që jemi ende larg asaj situate "humori" të elektoratit shqiptar që do të justifikonte ndërmarrjen e "rrëmbimit të armëve dhe të rrëzimit të pushtetit me dhunë". Kështu që çdo thirrje politike për një veprim të tillë, nuk mbështetet nga të dhëna shkencore për ekzistencën e një predispozicioni shpirtëror të elektoratit shqiptar për të ndjekur atë.

* * *

Si përfundim mund të thuhet se, me shumë gjasë, çdo qasje shkencore nga pozitat e pozitivizmit kontian nuk të jep zgjidhje të problemeve shkencore që kërkohen të studiohen, por vetëm të siguron të dhëna empirike, nga të cilat mund të hamendësohen disa zgjidhje të mundshme për ato probleme.

Pra, krijon premisa për të nisur një cikël kërkimesh ku këto zgjidhje të supozuara do t'u nënshtrohen testeve empirike rigoroze. Nga kjo pikëpamje, kjo qasje shkencore pozitiviste mund të konsiderohet si një etapë parashkencore, prandaj edhe ajo nuk ka përse të preferohet.