Ministri i Shtetit, Genc Pollo, ka kryesuar delegacionin shqiptar që ka raportuar për herë të parë pranë Këshillit të të Drejtave të Njeriut (KDNJ) në Gjenevë, në lidhje me nivelin e përgjithshëm të respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri, mbi bazën e Mekanizmit të Shqyrtimit Universal Periodik (UPR), në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Gjatë fjalës së mbajtur në këtë prezantim, Pollo bëri një përmbledhje të arritjeve të qeverisë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri, duke vënë theksin mbi vullnetin e patundur të qeverisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe dhunës ndaj personave, në veçanti ndaj fëmijëve dhe grave. 48 anëtarët e Këshillit të së Drejtave të Njeriut vlerësuan vendosmërinë dhe arritjet e qeverisë në përmirësimin e kuadrit të përgjithshëm ligjor në fushën e të drejtave të njeriut, si dhe përgëzuan Shqipërinë për zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Ky lajm është publikuar: 05/12/2009