Në rrethet e Qarkut të Kukësit dhe kryesisht në Has, ka një numër personash të mbijetuar nga minat, të cilët ndjehen të harruar nga shteti shqiptar.

Ata tregojnë se as marrin pension, as kanë njerëz të punësuar, as kanë infrastrukturë, as përkujdesje permanente mjekësore, nuk kanë asgjë. Madje një pjesë e tyre ka rënë në depresion.

Dhe kanë sakrifikuar aq shumë, kanë lënë gjymtyrët e trupit në arat e tyre, në bjeshkën e tyre dhe në pragun e shtëpisë të bërë copa-copa nga minat serbe.

Gërdeci me të drejtë po trajtohet si një tragjedi, sepse ishte e tillë, por edhe pse ndodhi shumë afër Tiranës dhe në sytë e mediave, aty vdiqën shumë njerëz.

Por në Has, në Kukës dhe në Tropojë, shteti pothuajse i ka braktisur. Atje gjatë luftës së Kosovës u shkaktuan rreth 300 viktima nga minat dhe predhat e hedhura nga serbët në tokën e Republikës së Shqipërisë, ku 33 veta gjetën vdekjen, shumica e të cilëve fëmijë dhe adoleshentë, 43 u gjymtuan përjetësisht nga duart dhe këmbët, 14 humbën dritën e syve...

Në të vërtetë, për shumë vite, arat mbetën të minuara, bagëtitë u dëmtuan nëpër bjeshkë ashtu si njerëzit. Shkurt, zona mbeti për shumë kohë pa bjeshkët, malin, arat dhe krojet, por edhe pa rrugën e fëmijëve që shkonin në shkollë. Dhe “shteti shqiptar që prej afër 10 vitesh bën sikur nuk ka ndodhur asgjë”, shton plaku.

Në familjen e Rexhë Xhafës, në Nikoliq të Hasit, bëhet hesap buka e gojës. Rexha, i zoti i shtëpisë, ka rënë në mina në tetor të vitit 2000 dhe ka humbur pjesën fundore të njërës këmbë, ndërsa kulloste bagëtitë në bjeshkë. Ai ka gjashtë fëmijë dhe gruan.

Gjendja vazhdon të mbetet tepër e rënduar, sa, siç tregon Sofija, e shoqja, janë detyruar për të shitur një nga lopët që ua kishte dhënë një shoqatë (shoqata VMA me ndihmën e UNICEF-it) për të blerë disa artikuj të domosdoshëm për jetesë.

Kjo familje jeton me 10 mijë lekë pension që Rexha merr si ish-minator, ndërsa ky, që është edhe i zoti i shtëpisë, prej skamjes ekstreme shpesh kalon depresion.

“Jam i zhgënjyer, nuk di të flas gjatë, por shkurt, jam i zhgënjyer, dy fëmijët e mëdhenj i kam nisur për Greqi, janë shumë të rinj, njërin e kam hequr nga shkolla 9-vjeçare, por, siç duket, nuk u ka ecur, vazhdimisht policia greke i rreh dhe i kthen mbrapsht”, tregon i zoti i shtëpisë.