Lëvizja Alternativa Civile ka bërë të ditur gjatë ditës së sotme idenë e saj për të kufizuar mandatin e të zgjedhurve vendorë. Propozimi është mbështetur edhe nga deputetë të dy kraheve politikë, të cilët kanë rënë dakort që koha e gjatë në pushtet, përveçse të çon në shterimin e energjive dhe ideve, sjell edhe riciklimin e pushtetit të tyre përmes korrupsionit dhe blerjes së votës.


Por, deputeti socialist, Besnik Bare, ka shkuar më tej, duke kërkuar kufizim edhe për deputetët dhe për kryeministrin. Sipas tij, edhe ky i fundit nuk duhet të qëndrojë më shumë se dy herë në këtë post.


Sipas të dhënave, mbi 30 % e të zgjedhurve vendorë që dolën nga zgjedhjet e fundit, kryetarët e komunave dhe bashkive, janë duke konsumuar mandate nga 3 në 6. Lëvizja Alternativa Civile propozoi që të prodhohen mekanizma ligjorë për tu limituar deri në dy mandate.


E ndërsa për vendorët deputetët kanë rënë dakord, vështirë se ata mund të bien dakord për kufizimin e mandateve të tyre dhe të kryeministrit.