Qeveria miratoi dje vendimin për ngritjen e Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit. Kryeministri Berisha tha se krijimi i kësaj agjencie synon të nxisë kërkimin shkencor jo vetëm në universitetet publike, por edhe në sektorin privat.
"Kjo agjenci ka si risi të saj inovacionin. Ne duhet të financojmë kërkimet shkencore jo vetëm në universitetet tona, por edhe në sektorin privat. Ne duhet të financojmë inovacionin në të gjitha fushat, me përparësi Hi Tec-un, softin, programimin. Funksionet e saj janë shumë të rëndësishme. Kjo është një përpjekje shtesë për të inkurajuar shkencën dhe kërkimin shkencor, inovacionin për të ecur më shpejt drejt moshës dixhitale. Ky katërvjeçar ka një objektiv po kaq madhor sa ai në fushën e infrastrukturës, rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve, vaditjes dhe shkollave, pra infrastrukturën që do të sjellë në Shqipëri moshën dixhitale". Vendimi për ngritjen e Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit mbështetet në Strategjinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, të miratuar pak kohë më parë nga qeveria. Nga ana tjetër, ish-institutet e Akademisë së Shkencave, të shndërruara në qendra të kërkimit shkencor, kanë mbetur peng i mungesës së fondeve për realizimin e projekteve të ndryshme.