Mbas 30 vjetësh, Teatri Shqiptar i Shkupit dha fundjavën e kaluar në skenën e Teatrit Dramatik Jugosllav të Beogradit pjesën "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", sipas romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare, me regji të regjisorit boshnjak, Din Mustafiç. Kjo pjesë teatrore mund të thuhet, rajonale, sepse përfshin një teatër nga Maqedonia, aktorë shqiptarë, regjisorë boshnjakë, si dhe bashkëpunëtorë nga Zagrebi dhe Tirana, shoqëron një samit ndërkombëtar të rinjsh që po zhvillohet në Beograd, i organizuar nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut të Serbisë, shkruan gazeta e përditshme serbe "Danas", së cilës regjisori boshnjak Mustafiç i deklaroi, me këtë rast, se shfaqja i kishte dhënë një kënaqësi të veçantë për dy arsye - e para ka lidhje me aspektin artistik, kurse e dyta me kontekstin politik e kulturor të pashmangshëm të pjesës teatrore, me të cilën ai erdhi në Beograd. "Romani antiluftë i Kadaresë, i shkruar në vitet ‘60, për dy gjeneralë, të cilët mbas Luftës së Dytë Botërore po i shikojnë në një dritë tjetër ngjarjet e asaj kohe, është zhvendosur në kuadrin e zhvillimeve të së kaluarës së afërt me konkluzionin se konfliktet dhe konfrontimet e ndodhura dhe viktimat, si dhe pasojat e tyre të pashmangshme erdhën për shkak të paragjykimeve dhe zhgënjimeve", vuri në dukje regjisori boshnjak. Ai shtoi se "e gjithë kjo duhet t‘i ndihmojë të rinjtë, pjesëmarrës në samit, që të krijojnë hapësirën e nevojshme për dialog, ballafaqim me të kaluarën dhe me çështjet e dhimbshme, që të kuptojnë se ata nuk duhet të mbesin pengje të së kaluarës e të trashëgimisë së saj, por duhet ta hedhin vështrimin tek e ardhmja". Bajrush Mjaku, aktori kryesor i shfaqjes dhe drejtues i Teatrit Shqiptar, tha se ata ndjehen të nderuar që kanë ardhur në Beograd që të përpiqen të sqarojnë disa dilema dhe t‘u japin përgjigje disa pyetjeve lidhur me atë që ka ndodhur në të kaluarën. Pyetjes se sa spektatorë erdhën për të parë pjesën teatrore dhe se kush qenë ata, Mjaku iu përgjigj se teatri, në përgjithësi, sot nuk është më ai që ka qenë më parë kur sallat mbusheshin plot, pavarësisht nëse shfaqja është e mirë ose jo. "Njerëzit, për më tepër të rinjtë, nuk janë shumë të interesuar për teatrin dhe gjithçka varet nga ajo se çfarë u ofron ai. Vlerësohet vetëm ajo që vlen dhe vetëm shfaqje të tilla kanë jetë dhe publik, pavarësisht nga kombësia", theksoi drejtuesi i Teatrit Shqiptar. Në samit marrin pjesë të rinj nga rajoni i Ballkanit, nga rajonet ku ka pasur konflikte, si dhe përfaqësues të BE-së dhe në fund të tij është parashikuar të miratohet një deklaratë mbi qëndrimet e të rinjve për pjesëmarrjen në dialog, në përpjekjet për krijimin e shtetit të së drejtës dhe në marrjen e vendimeve në hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Ky samit zhvillohet çdo vit në një nga vendet ballkanike.



m.s.