Ervin KOÇI



Kompanitë private që kanë vërejtje për zhvillimin e tenderëve publikë, tani mund të ankimojnë vendimet pranë një strukture të re, e cila do të jetë në varësi të kryeministrit. Çdo ankesë që do të ketë biznesi për zhvillimin e tenderëve që kryen Agjencia e Prokurimeve Publike do të shqyrtohet pranë një komisioni të posaçëm, i cili do të ketë funksionin e një gjykate. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar projektligjin që parashikon ngritjen e këtij organi kolegjial me 5 anëtarë, vendimet e së cilit mund të hidhen poshtë vetëm me vendim gjykate. Për ankimimin pranë kësaj strukture, subjekti privat duhet të bëjë edhe një pagesë, vlera e së cilës pritet të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave. Aktualisht, çështje të tilla i shqyrton agjencia, e cila zhvillon njëkohësisht edhe tenderët. Anëtari i Komisionit Parlamentarë të Financave Selami Xhepa ka deklaruar se “krijimi i një strukture më të specializuar, i cila do t’i japë përgjigje në kohë rekord ankesave do të ketë formatin e një gjykate”. Mbi të gjitha, thotë Xhepa, “kjo strukturë do të shmangë konfliktin e interesit që funksionon me Agjencinë e Prokurimeve, e cila edhe kryen tenderët edhe shqyrton ankesat”. Ligji "Për prokurimin publik", synon zbatimin e dispozitave për kontrata publike për operatorët që veprojnë në sektorët e ujit, energjisë, transportit dhe shërbimeve postare, por edhe ngritjen e një komisioni për shqyrtimin e ankesave. Në lidhje me këtë çështje kanë ardhur dje edhe reagimet nga shoqatat e biznesit, që nuk kanë qenë dakord me vendimin e Komisionit të Ekonomisë.



Biznesi



Biznesi e komenton këtë ndryshim ligjorë si sipërfaqësor, ku sipas përfaqësuesve të grupeve të interesit ligji ka nevojë për ndërhyrje edhe më të thella. Por ajo që shqetëson biznesin është fakti se në përbërjen e këtij komisioni nuk do të ketë përfaqësues të sipërmarrjes private, çka e bënë funksionimin e tij jo transparent. “Me sa di unë ky komision përbëhet nga nëpunës të shtetit që i emëron qeveria dhe ne e dimë të gjithë si funksionojnë strukturat shtetërore. Ajo që mund të them është se pala e interesuar nuk është njoftuar për këtë ndryshim”- thotë sekretari i shoqatës së ndërtuesve, Arben Dervishaj. Sipas tij, ligji ka nevojë të ndryshojë edhe më tej, të paktën për sa i përket vlerës minimale e cila mbetet gjithnjë fituese në tenderët publikë. “Kjo pikë e ligjit duhet të ndryshojë se jo çdo vlerë minimale garanton cilësi në punime”,- ka thënë më tej Dervishaj. Por mënyra e kryerjes së tenderëve publike monitorohet edhe nga Avokati i Prokurimeve. Ky institucion në raportet e tij vjetore ka ngritur shqetësimin se ligji prokurimeve nuk garanton transparencë. Avokati i Prokurimeve është një organ, i cili nuk ka fuqi ekzekutimi, por vetëm jep rekomandime.



Prokurimet

Shqipëria është i vetmi vend në botë që realizon 100 për qind prokurime elektronike. Vendi i dytë në botë për prokurime elektronike të zhvilluar është Kili me 85 për qind, në një kohë që standardet evropiane lejojnë realizimin e prokurimeve deri në masën me 40 për qind. Tenderët elektronikë prej një viti dominojnë garat për thithjen e fondeve publike nga sektori privat. Me rifreskimin e ligjit për ”Prokurimet publike” një vit më parë, nisi aplikimi elektronik i kompanive në tenderë. Ky aplikim parashikonte një konkurrim “on-line”, i realizuar tërësisht nëpërmjet një projekti dhe infrastrukture të posaçme elektronike që komandohet nga Agjencia e Prokurimit Publik. Pikërisht ndryshimi i sistemit të tenderimit duket se u ka lënë shkas shumë institucioneve që shpallin tenderë që të ”diskriminojnë” qindra firma dhe kompani padrejtësisht, duke shfrytëzuar kërkesat strikte të dokumentacionit që imponon ligji ”Për prokurimin” në rastet kur prokurimi nuk është elektronik. Një prej kritereve që ka ”djegur” padrejtësisht qindra kompani ka qenë kërkesa për dokumentacion të noterizuar.





Si mund të noterizohen tenderët “on-line”



Agjencia e Prokurimit Publik kryen paraprakisht verifikimin e dokumentacionit shkresor të kompanive që duan të konkurrojnë në tenderët elektronikë. Pasi këto kompani paraqesin dokumentacionin shkresor sipas të gjitha rregullave dhe kritereve ligjore, atëherë APP-ja i pajis këto subjekte me kodet dhe të dhënat që u japin këtyre kompanive aksesin e duhur për t’u futur në sistemin elektronik dhe për të konkurruar. Pra APP-ja paraprakisht është siguruar për vërtetësinë e dokumentacionit të këtyre kompanive. Por, prej thuajse një viti, institucionet kontraktuese (institucionet që shpallin dhe zhvillojnë tenderët) duket se e kanë shpërfillur një fakt të tillë dhe ndonëse është e panevojshme, ato kanë kërkuar dokumente të noterizuara të kompanive. Të gjendura përballë “surprizës”, kompanitë e kanë parë veten të skualifikuar, ndonëse në shumicën dërrmuese të rasteve shumë kompani të skualifikuara për “mungesë noterizimi” kanë pasur ofertat më të mira në këta tenderë.







Kaskada e Vjosës, qeveria përgatit tenderin



Kaskada e Vjosës, një nga hidrocentralet më të mëdhenj që priten të ndërtohen në Shqipëri, pritet të nisë procedurat e tenderimit brena pak javësh. Këshilltarja e Kryeministri Sali Berisha, Zana Guxholli tha se po përgatitet tenderi i cili do të hapet në një periudhë disa javore. “Brenda pak javësh do të hapet tenderi për shpalljen e fituesit në kaskadën e Vjosës”, tha këshilltarja e kryeministri. Ky investim pritet të jetë në qindra miliona euro, i cili mund të krahasohet me investimin që ka nisur në kaskadën e lumit Devoll, 1 miliardë euro. Ende nuk janë publikuar kriteret e këtij tenderi si dhe për interesimin e kompanive që kërkojnë të marrin pjesë, por mësohet se qeveria do të favorizojë investimin më të madh në lumin Vjosë për të prodhuar energji.







6 Tetor 2009