Rihapet çështja për Ahmet Ajetin, i cili në vitin 2005 tentoi të vrasë Lulzim Berishën. Ky endim është marrë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, Tiranë. Ajeti është dënuar në  mungesë me 20 vjet burg për tentativë vrasje dhe u ekstradua nga Lipjani i Kosovës, në Shqipëri dy muaj më parë. Pas ekstradimit, Ajeti kërkoi rihapjen e çështjes, dhe rishqyrtimin e dosjes në prani të tij.


Më 30 gusht të 2005 Ahmet Ajeti dhe O. K., të porositur nga E. D., dhe A.C., kanë shkuar nga Tirana në Durrës për të vrarë Lul Berishën. Para se të kryhej atentati në afërsi të lokalit ku ndodhej Berisha, Ahmet Ajeti është konfliktuar me disa persona të panjohur dhe në grindje e sipër ka nxjerrë pistoletën ku dhe  është vetëplagosur. Ajeti është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana më 07.03.2016, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin nr. 01 datë 16.01.2012, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprën penale Vrasje me paramendim, dhe Armëmbajtje pa leje.


Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Policinë e Kosovës, u bë i mundur arrestimi i tij në Kosovë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë, thuhet në njoftimin e policisë për ekstradimin e tij.


Ajeti nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare, pasi ai ka qenë pjesë e bandës së Endrit Dokles e Adriatik Colit.  Pretendohet se është paguar me 80 mijë euro në vitin 2005 për të vrarë Lulzim Berishën.


13 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)