Kreu i shtetit Bujar Nishani ka nderuar me Urdhrin "Mjeshtër i Madh", shkrimtarin, publicistin dhe personalitetin e shquar në jetën publike, shoqërore dhe politike shqiptare, Teodor Keko (pas vdekjes) me motivacionin: "Për kontribut të shquar në fushën e letërsisë dhe publicistikës, duke promovuar në kulturën kombëtare, risi dhe vlera autentike shpirtërore dhe intelektuale".

 


Kryetari i Shtetit në fjalën e tij vlerësoi kontributin e lartë të Teodor Kekos në letërsi dhe oratorinë e tij, duke u shprehur ndërmjet të tjerash se shkrimtari Teodor Keko la pas vepra të mëdha.


"Një njeri mund të jetojë dhe njëqind vjet dhe mund të mos lerë asgjë si shenjë e ekzistencës së tij. Teodor Keko jetoi pak, por la shumë. Sot ai është “Mjeshtër i Madh”, por vepra, letërsia, poezia, proza, kontributi, oratoria e Teodor Kekos do të jenë gjithmonë një pikë referimi e lirisë, por edhe mënyrës për të kontribuar përmes kulturës në konsolidimin e demokracisë.

 


Në ceremoninë zyrtare, që përkoi me 10-vjetorin e vdekjes së shkrimtarit dhe publicistit të mirënjohur ishin të pranishëm familjarë të shkrimtarit dhe publicistit Keko, Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku dhe përfaqësues të MTKRS-së, shkrimtarë, publicistë dhe miq.