Pukjanët barazojnë 1-1 në miqësore, ndërkohë që blerja e radhës është nigeriani Xhejms Osuji


Nga ERJON SALIU



Tërbuni vazhdon merkaton, por edhe ndeshjet miqësore. Pukjanët kanë arritur të mbyllin me sukses marrëveshjen me nigerianin Xhejms Osuji, i cili ka nënshkruar për një sezon.


Afrimi i këtij lojtari është bërë edhe  falë ndërhyrjes së donatorit Kujtim Baholli, i cili e njeh Osujin që në kohën kur ishte president i Kastriotit. Osuji ka qenë titullar në miqësoren e djeshme me Skraparin dhe ka vërtetuar se është një lojtar me vlera, që i shtohet skuadrës së drejtuar nga trajneri Dali Farruku.


Konkurrenca në mesfushë është bërë e ashpër, pasi ka lojtarë me eksperiencë që kanë luajtur edhe në superiore. Pritet që presidenti Syla të afrojë edhe të tjerë lojtarë, madje që kanë luajtur në superligë sezonet e fundit.


Miqësorja - Paraditen e djeshme, në kompleksin “Dinamo”, është zhvilluar një miqësore mes Tërbunit dhe Skraparit, që është mbyllur në barazim, 1-1.


Trajneri Dali Farruku ka hedhur në fushë lojtarët më të mirë, ndërkohë që në pjesën e dytë ka aktivizuar ata që janë në provë. Golin për pukjanët e ka shënuar Udeke.


Trajneri Farruku është shprehur i kënaqur me lojtarët e aktivizuar pjesën e parë, por mendon se disa lojtarë vijnë nga një periudhë e gjatë pa stërvitje dhe u duhet kohë për të arritur formën e duhur.


“Jam i kënaqur nga miqësorja. Të mos harrojmë se luajtëm ndaj një skuadre të kategorisë së parë. Mund të them se Tërbunin e vërtetë do ta shihni pas dy javësh,”- u shpreh për “Sportin shqiptar” trajneri i Tërbunit, Dali Farruku.


Pukjanët do të zhvillojnë edhe një miqësore me Besëlidhjen të mërkurën në Kamzë.


 


 


Naftëtari, shenja pozitive ndaj Elbasanit


 


Nga Arben Çepani


 


Naftëtari humbi të premten në miqësoren me Elbasanin, që ngjalli interesim të madh për sportdashësit kuçovarë, të shumtë në numër në stadium.


Elbasani fitoi 2-3, pasi u paraqit si një ekip i përgatitur. Gjithsesi, edhe kuçovarët, me shumë ndryshime, bënë një paraqitje të mirë, duke dhënë sinjalin se në kampionat do të jenë pretendentë.


Duhet theksuar se skuadra kuçovare është përforcuar gjatë kësaj periudhe me Xhixhon, Metën, Moses Alechenun, Drobonikun, Bakun dhe Shinkon. Ky Naftëtar, me një mbështetje më të fuqishme, premton shumë për të ardhmen. Në miqësoren me Elbasanin shënuan Zylyftari dhe nigeriani Alechenu, ndërsa për miqtë shënuan Krekasi, Hila dhe Merxha.


Pas ndeshjes, Bejkush Birçe, drejtor teknik i Naftëtarit, tha: Në ndeshje të tilla mëson shumë, sidomos kur ke përballë ekipe të tilla si Elbasani, që më pëlqeu për mënyrën e organizimit. Kemi punë për të bërë, pasi është vetëm fillimi.