Pas tërheqjes së bllokut VLAN për pozitën e kryeparlamentarit, kryeministri në largim, Hashim Thaçi, ka thënë se partitë e bllokut e kanë pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se ky është një sinjal pozitiv pas bllokadës pesë muajsh që nga zgjedhjet e fundit të qershorit.

Në një intervistë për RTK-në, Thaçi ka dhënë përgjigjen e tij për partitë e bllokut, pasi këta të fundit janë shprehur të gatshëm për të votuar kandidatin e PDK-së. Ai ka thënë se PDK do të punojë në përputhshmëri me Kushtetutën e vendit.

"Ajo që është e rëndësishme është fakti se partitë e mbledhura rreth bllokut, definitifisht i kanë akceptuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kanë filluar të reflektojnë, të respektojnë Kushtetutën dhe ky është një sinjal pozitiv pas 5 muajve të bllokadës. Ndërsa hapat e Partisë Demokratike do të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovë, ligjet e vendit. Për gjithçka, ne do të ulemi të diskutojmë si spektër politikë, qoftë në thirrjen e seancës konstitutive, qoftë për formimin e qeverisë dhe hapat e metutjeshëm", ka deklaruar Thaçi.

Ai ka theksuar se për çdo hap të mëtutjeshëm, duhet së pari një marrëveshje politike. Në një aspekt ka ftuar partitë politike që të gjejnë një zgjidhje për institucionet e reja, në të kundërtën të caktojnë datën për zgjedhjet e reja.

"Mundësitë janë që të ulemi dhe të diskutojmë për marrëveshje në zgjidhjen e institucioneve ose që të ulemi dhe të caktojmë datën e zgjedhjeve", ka thënë ai.