Akuzat


Fakte të reja nxjerrin kunatin e kryebashkiakut të lidhur me pronarin e kompanisë


Këshilltarët e PS: Fabrika, me njerëzit e Bashës


Skandali i plehrave në Tiranë thellohet dhe më shumë në kuadër të përfshirjes së kunatit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha në biznesin e riciklimit të tyre. Fakti pas investigimit të gazetës Idea, solli dhe një reagim të ashpër politik nga ana e eksponentëve të opozitës. Denoncimi i parë erdhi nga këshilltarët e PS-së në Bashkinë e Tiranës, me anë të kryetarit, Aldrin Dalipi. Sipas tij, Basha ka ngritur, me anë të njerëzve të tij, një fabrikë për përpunimin e mbetjeve, në kundërshtim me ligjin dhe pa asnjë leje mjedisore. Monopoli i mbetjeve, si një strukturë e tipit mafioz është ndërtuar tashmë në Tiranë. Zoti Basha duhet t’u përgjigjet qytetarëve të Tiranës, cila është firma që mbrohet natë e ditë nga uniformat e bashkisë? Cili është pronari i vetëm që kontrollon këtë biznes, duke goditur shtresat që jetojnë në varfëri të thellë?, kërkoi Dalipi. Por pak orë më vonë, deputeti socialist, Erion Braçe, deklaroi se pronari i kompanisë Green që po përpunon në kundërshtim me ligjin plehrat në kryeqytet është Oliver Shtylla, një punonjës i kompanisë Megatek të cilën e disponon Dionis Teqja, ortak në shumë biznese me Erion Isufin, kunatin e Lulzim Bashës. Ka një dyshim të fortë se Oliver Shtylla thjesht ka vënë emrin në letrat publike. Ndërkohë që një komani Albanian Company of General Services, në pronësi të shtetasit Dionis Teqja, ka në përshkrimin e aktivitetit të saj mbledhjen dhe përpunimin e plehrave. Në këtë kompani, njëri prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës është Erjon Isufi, domethënë kunati i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, pronare e kazanëve dhe mbeturinave në to. Dionis Teqja, shtetasi që ka pronësinë e kësaj kompanie është njëherësh edhe ortaku absolut i kompanisë Megatek, në të cilën rezulton i punësuar Oliver Shtylla, pronari i kompanisë Green, thekon Braçe duke shtuar se faktet janë të lidhura qartë dhe implikimi i Bashës në këtë kompani është i dukshëm.


 


Precedentët


Kunati i Lulzim Bashës, Erjon Isufi, është akuzuar disa herë nga mediat dhe opozita për implikimin e tij në shumë afera të qeverisë


Emri i tij u lakua dhe përgjatë shfrytëzimit të ambienteve publike në Tiranë, për vendosjen e kioskave që shërbejnë për tregti në kohë të ndryshme të vitit


Thellohet skandali i përpunimit të mbeturinave burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip