Thomas-Strakosha-1-658x438Dëmtimi i Marchetit mund ti hapë Thomas Strakoshës dyert e prezencës si titullar në një prej ndeshjeve më të ndiera jo vetëm të futbollit italian, por edhe në rang global, derbit të Romës mes verdhekuqve dhe Lazios. Portieri shqiptar ishte në portë për 90minuta në fitoren e fundjavës së kaluar ndaj Genoas duke bërë një tjetër paraqitje të mirë, në fakt Strakosha sa herë është thërritur në mision ka treguar se e ka merituar besimin e Inzaghit dhe tani me shumë mundësi do të jetë titullar edhe në dy takimet e radhës, sfidën me Palermon këtë fundjavë, dhe mbi të gjitha një javë më pas, në derbin e Romës një ndeshje me histori dhe rivalitet të jashtëzakonshëm.


Lazio bëri të ditur se Marcheti do të jetë me siguri jashtë për takimin e së dielës kundër Palermos por rrezikon shumë edhe për derbin e 4 dhjetorit. Të jesh portier në një derbi që dallohet për tensionin dhe rivalitetin është një përgjegjësi e madhe, por 21-vjeçari e pret me optimizëm një mundësi të tillë, siç u shpreh dhe në një intervistë pas një eventi bamirësie në favor të njerëzve të prekur nga tërmetet e fundit në Itali.


Çdokush që luan futboll ëndërron që njerëzit ta njohin një ditë kur është fëmijë. Mendojmë për Palermon, duhet të fitojmë në mënyrë që të shkojmë të qetë në derbi. Çdo djalosh që vjen në Romë ëndërron derbin, do të ishte diçka fantastike të zbrisja në fushë, deklaroi portieri i kombëtares kuqezi. Strakosha është gati, pret një shans për derbin, një tjetër mundësi për tu rritur duke ndjekur gjurmët e të atit, Strakoshës ikonë të portës kuqezi.


23 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)